Flash News

Bota

Koha e Evropës së gjelbër

Koha e Evropës së gjelbër

Boshko Jakshiç, Politika

Qëkur pjesa e begatë e Europës e ka vënë në krye të prioriteteve të saj problemin e ndryshimeve klimatike dhe ndotjes së ambjentit, partitë e të Gjelbërve janë në ngritje të pandalshme duke u marrë kësisoj vota partive tradicionale ndikimi i të cilave dobësohet.

Dikur lëvizje radikale njëdrejtimëshe, e orientuar kryesisht për nga problemet sociale, në dhjetëvjeçarin e fundit ajo ka kaluar në qendër, me fjalë të tjera e ka zgjeruar fushën e veprimtarisë së saj dhe ka kontribuar ndjeshëm në zhvendosjet sizmike që po ndodhin në pllakën politike të kontinentit. Qëkur kriza e emigrantëve është shtyrë në plan të dytë, problemet ekologjike janë bërë fronti i ri i luftës mes liberalëve dhe së djathtës, ndërsa të Gjelbërit, si shpresë e së majtës dhe qendrës politike, kanë fituar rolin e njëfarë antidoti ndaj nacionalistëve dhe populistëve.

Në Parlamentin Europian, në të cilin janë të pranishëm që në vitin 1984, sot kanë pothuajse nëntë përqind të deputetëve, gjë që përbën një ngritje me 47 përqind. Kanë një kontribut kyç për frenimin e vrullit të populistëve të djathtë. Në zgjedhjet gjermane ata kanë fituar 20 përqind të votave, në Francë 13,5 përqind dhe janë bërë partia më e popullarizuar në radhët e zgjedhësve deri në moshën 35 vjeçare, në Britani kanë marrë 12 përqind.

Të vetëdijshëm se problemet ekologjike nuk mund të zgjidhen brenda kufijve nacionalë, të Gjelbërit janë të parët të cilët, që në muajin shkurt të vitit 2004, në Romë, formuan Partinë europiane të të Gjelbërve. Federatat e tjera politike, që sot janë të grumbulluara në Parlamentin  Europian, ndoqën më vonë shembullin e grumbullimit të atëhershëm të 34 partive të të Gjelbërve. Në këtë Parlament të ndarë në dy formacionet më të mëdha- qendër e djathtë dhe qendër e majtë- të Gjelbërit sot janë një grup që ka ndikim në çdo vendim, gjë që ka kontribuar që blloku i ri i së djathtës ekstreme të shtyhet në vendin e katërt.

“Ne jemi të fortë në Parlamentin  Europian, por nuk e teprojmë. Me dhjetë përqind vërtetë fitoni ndikim, por të tjerët ende mund  të vendosin të qeverisin pa ju, gjë që më së shpeshti edhe e bëjnë”, mendon  Filip Lamberti, bashkëkryetar i të Gjelbërve në Parlamentin Europian.

A mos vallë do të thotë kjo se roli i të Gjelbërve është tejvlerësuar, sikurse shprehen vazhdimisht djathtistët europianë, për të cilët të Gjelbërit janë si coha e kuqe për demin?

Ngritja e tyre është e pakundërshtueshme. Llogaritet edhe fakti se sot të gjithë partitë flasin për ekologjinë, por këmbëngulin se ato janë origjinale dhe të tjerat janë vetëm kopje. Të Gjelbërit zgjerojnë ndikimin e tyre dhe dalngadalë po i afrohen qendrës politike. Sikur zgjedhësit ti përjetonin vetëm si aktivistë dhe jo si parti serioze, rezultati do të ishte i margjinalizueshëm. Por nuk është i tillë. Në zgjedhjet lokalë nëpër Europë në vitin 2020 shënuan suksese të mëdha e kësisoj sot kanë kryetarët e bashkive Lion, Strasburg, Marsejë, Bordo, Dublin, Ahen, Keln, Bon... Aleatët e tyre të afërt mbajnë  Barcelonën, Budapestin, Varshavën. Në Kroaci janë në rrugën më të mirë për të fituar Zagrebin duke përbërë kësisoj depërtimin më serioz në drejtim të Juglindjes së Europës.

Sot, si partnerë në pakicë, janë në qeveritë qendrore në Austri, Belgjikë, Mal të Zi, Finlandë, Luksemburg, Republikën e  Irlandës, Maqedoninë e Veriut dhe Suedi dhe marrin pjesë në seancat e kabineteve qeveritare të pesë shteteve antare të BE-së.

Liderja e të Gjelbërve gjermanë Analena Bearbok ofron ndryshime gjeneracionale dhe, në garën për vendin kancelarit, pas tërheqjes së Anxhela Merkelit, është në përparësi të ndjeshme në raport me kandidatin e konservatorëve, aktualisht në qeveri, CDU-CSU Armin Lashet dhe akoma seriozisht më shumë ndaj kandidaturës së socialdemokratëve Olaf Sholc. Të Gjelbërit janë tashmë në qeveritë e landeve në Hes dhe Baden-Virtenberg.

Partnerët tradicionalë të të Gjelbërve, si puna e socialdemokratëve, në mbarë Europën, për një kohë të gjatë kanë qenë në rënie e sipër, e për këtë lindën koalicionet gjelbër-zi: dikur aktivistët radikalë tani iu drejtuan bashkëpunimit programor me partitë e qendrës së djathtë, por kurdoherë me kushtin që të pranohen agjendat e tyre që përfshijnë bioteknologjinë dhe infrastrukturën klimatikisht neutrale.

Sukseset e socialdemokratëve në Spanjë dhe në vendet skandinave i kanë dhënë njëfarë optimizmi qendrës së majtë, gjë e cila të Gjelbërit do t’i kthente në habitatin e tyre natyror- duke patur parasysh rëndësinë që kanë problemet ekologjike në ekonomitë e zhvilluara- të Gjelbërve u kanë dhënë një rol që dikur e kishte socialdemokracia.

Nën presionin e tyre Bashkimi Europian paralajmëroi “Marrëveshjen e Gjelbër” sipas së cilës BE-ja deri në vitin 2050 do të duhet të çlirohet nga emetimet e dëmshme të dioksidit të karbonit dhe të afrojë një të tretën e fondeve për ta përdorur në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit njerzor.

Pragmatizmi i ri i të Gjelbërve, lloj më vete i përzierjes së aktiviteteve të shoqërisë civile dhe partive të konstruktuara mirë, natyrisht që ka pasqyrim, megjithëse disa vendime të tyre janë të papritura. Si puna e ndalimit të mbajtjes së mbulesës së kokës të femrave muslimane në shkollat austriake, ose kundërshtimi për shpenzimet që ndau BE-ja për luftën kundër pandemisë.

Problemi më i madh i të Gjelbërve është se ata vazhdojnë të jenë një fenomen Veriperëndimor kur dukshëm më lehtë përhapet vetëdija për jetën e përditëshme: çfarë të hamë, si të vishemi, si të udhëtojmë, si të ngrohemi. Në Europën Jugore, Qendrore dhe Lindore fokusi është te ekonomia dhe punësimi. Megjithëse Budapesti ka një kryetar bashkie nga të Gjelbërit, në Lindje të kontinentit agjenda e tyre nuk u interesoin shumë as politikanëve dhe as qytetarëve. Perdja e hekurt e ndarjeve në kontinent jeton ende në një formë tashmë të transformuar. Polonia nuk ka dërguar në Bruksel asnjë ligjvënës nga të Gjelbërit, ndërsa sëbashku me Estoninë, Hungarinë dhe Republikën Çeke u përpoq të bllokonte “Marrëveshjen e Gjelbër” europiane.

Megjithatë, në vendet që nuk kanë ndonjëfarë trashëgime historike për luftën kundër centraleve bërthamore, gjë që ishte trampolini i të Gjelbërve, gjërat po ndryshojnë dalngadalë. Mbështetjen më të madhe të Gjelbërit e kanë në radhët e të rinjve, profesionistëve me formim universitar. Në Serbi janë pikërisht këta që ikin nga vendi, por për fat të mirë zëvendësohen nga njerëz që gjithnjë e më shumë marrin frymë me vështirësi, të cilët kërcënohen të mbeten pa ujë dhe ujitje, të cilëve u merret shtëpia dhe toka për shkak të  veprimeve të rrezikshme teknologjike të gërmimeve për nxjerrjen e mineraleve të rralla.

Në Itali si edhe në Spanjë, të Gjelbërit mund të arrijnë sukses me rëndësi në zgjedhjet europiane të vitit 2024. Por vatra kryesore e tyre vazhdon të mbetet në Gjermani dhe në Francë të cilat mund të arrijnë të përmbushin dëshirën që të Gjelbërit në përbërjen pasardhëse të Parlamentit Europian të kenë një numër dyshifror.

Pandemia ka treguar sesa janë të domosdoshme ndryshimet në politikë. Pandemia do të kalojë, por problemet kyçe klimatike dhe ekologjike të agjendës së të Gjelbërve do të mbeten. Transformimi social-ekologjik” është i paevitueshëm.

Po afron koha e Gjelbër e Europës.

Përktheu për Politiko: Xhelal Fejza

Të fundit