Flash News

Bota

Kriza financiare në OKB, rrezikohen ndihmat për refugjatët

Kriza financiare në OKB, rrezikohen ndihmat për refugjatët

Rreth 3.500 vende pune do të shkurtohen në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) për shkak të mungesës së fondeve, njoftoi sot agjencia, duke bërë të ditur se planifikon një ulje globale me rreth 30% të kostove të personelit.

Në këtë realitet të vështirë ekonomik, jemi të detyruar të ulim shkallën e operacioneve tona. Po përqendrohemi tek aktivitetet që kanë ndikimin më të madh për refugjatët, duke thjeshtuar strukturat në seli dhe në zyrat rajonale,” deklaroi Komisioneri i Lartë për Refugjatët, Filippo Grandi, në një komunikatë për shtyp.

Kjo krizë vjen pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të “ngrirë” ndihmën ndërkombëtare, çka ka shkaktuar zinxhir shkurtimesh në shumë organizata ndërkombëtare ndihmash. Megjithatë, zyrtarët theksojnë se SHBA nuk është e vetmja që ka ulur kontributet financiare.

Sipas të dhënave të fundit, UNHCR ka mbyllur ose zvogëluar zyrat në disa vende, ka reduktuar me gati 50% pozicionet drejtuese në selinë e saj në Gjenevë dhe në zyrat rajonale, ndërsa qindra punonjës të përkohshëm janë larguar për mungesë fondesh.

“Vlerësojmë se kostoja e përgjithshme e personelit do të ulet me rreth 30%,” theksohet në deklaratë.

Megjithëse prioritet mbeten operacionet në zonat me nevoja më urgjente për refugjatët, shumë programe thelbësore – si ndihma ekonomike për familjet në nevojë, shëndetësia, arsimi dhe higjiena – janë goditur rëndë.

UNHCR parashikon ta përfundojë këtë vit me fonde të ngjashme me ato të para 10 vitesh, edhe pse numri i personave të zhvendosur me forcë në botë është dyfishuar, duke arritur në mbi 122 milionë.

Në fund të vitit të kaluar, 1 në çdo 67 njerëz në botë ishte i zhvendosur me forcë, për një total prej 123,2 milionë personash – përfshirë 73,5 milionë të zhvendosur brenda vendit dhe 31 milionë refugjatë nën mbrojtjen e UNHCR.

Të fundit