Flash News

Bota

Kryebashkiakja e Uashingtonit mobilizon Gardën Kombëtare para tubimeve pro-Trump

Kryebashkiakja e Uashingtonit mobilizon Gardën Kombëtare para tubimeve

Kryebashkiakja  e Uashingtonit ka mobilizuar Gardën Kombëtare përpara protestave të planifikuara nga mbështetësit e presidentit, Donald Trump, në kohën kur Kongresi do të votojë për të konfirmuar fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Kryetarja e Uashingtonit, Muriel Bowser, më 4 janar kërkoi një vendosje të Gardës Kombëtare dhe u kërkoi banorëve lokalë që të qëndronin larg zonës në qendër të qytetit më 5 dhe 6 janar dhe të shmangnin konfrontimet me këdo që "po kërkon një përleshje".

Mbështetësit e Trumpit po planifikojnë të mblidhen në kryeqytetin e SHBA-së në mbështetje të pretendimeve të pabazuara të Trump për mashtrim të gjerë të votuesve.

Më shumë se 300 trupa të Gardës Kombëtare do të jenë gati për të siguruar kontrollin e turmës dhe ndihmën e zjarrfikësve dhe shërbimeve të shpëtimit, tha Garda Kombëtare në një deklaratë.

Protestat përkojnë me një votim të Kongresit të planifikuar të zhvillohet në 6 janar që pritet të certifikojë rezultatet e Kolegjit Zgjedhor për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Trump vazhdon të kundërshtojë rezultatin, të cilin Kolegji Zgjedhor e konfirmoi muajin e kaluar si një fitore për Bidenin me rezultat 306-232 të votave në Kolegj.

Kongresi është i mandatuar me Kushtetutë për të numëruar dhe vërtetuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Kjo procedurë zakonisht është një formalitet. Por, jo edhe kësaj rradhe pasi të paktën 12 senatorë republikanë dhe rreth 140 anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve u zotuan se do të votojnë kundër certifikimit, duke përmendur pretendimet e Trumpit për mashtrim zgjedhor.

Pretendimet e Trumpit janë hedhur poshtë nga zyrtarët e zgjedhjeve nga të dy partitë politike, guvernatorë në shtetet kryesore të përballjes zgjedhore dhe Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së erdhi në përfundimin se nuk kishte mashtrim të gjerë zgjedhor.

Përveç kësaj, pothuajse të gjitha paditë nga ekipi ligjor i Trumpit dhe aleatët e tij janë hedhur poshtë nga gjykatësit, duke përfshirë dy të refuzuara nga Gjykata Supreme./ REL

Të fundit