Flash News

Bota

Kryebashkiaku ngre alarmin: Kolera dhe sëmundje të tjera mund të vrasin mijëra njerëz në Mariupol

Kryebashkiaku ngre alarmin: Kolera dhe sëmundje të tjera mund të

Kolera dhe sëmundje të tjera vdekjeprurëse mund të vrasin mijëra njerëz në qytetin jugor të Ukrainës, Mariupol, pasi trupat qëndrojnë të pambledhur dhe vera sjell mot më të ngrohtë, tha kryebashkiaku i saj sot.

Kryebashkiaku Vadym Boichenko tha se puset ishin kontaminuar nga kufomat e njerëzve të vrarë gjatë javëve të bombardimeve dhe rrethimit rus dhe se mbledhja e trupave nga pushtuesit rusë të qytetit po vazhdonte ngadalë.

"Ka një shpërthim të dizenterisë dhe kolerës. Ky është, për fat të keq, vlerësimi i mjekëve tanë: se lufta që mori mbi 20,000 banorë, për fat të keq, me këto shpërthime infeksioni, do të marrë mijëra Mariupolitë të tjerë," tha ai për televizionin kombëtar në Ukrainë.

Boichenko, i cili ndodhet jashtë Mariupolit, tha se qyteti ishte vendosur në karantinë. Ukraina thotë se rreth 100,000 njerëz janë tani në Mariupol, një qytet dikur i gjallë që kishte një popullsi prej rreth 430,000 para luftës, por tani është një shkretëtirë urbane.

Kryebashkiaku shtoi se banorët ishin detyruar të pinin ujë nga puset për shkak se qyteti nuk kishte ujë të rrjedhshëm apo sistem kanalizimi funksional. Ai u kërkoi Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të punojnë në krijimin e një korridori humanitar për të ndihmuar banorët të largohen nga qyteti, për të cilin zyrtarët ukrainas thonë se ende i mungojnë furnizimet e centralizuara me ujë, energji elektrike dhe gaz.

Muajin e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi për një shpërthim të mundshëm kolere në Mariupol. Ndërkohë, ministria e mbrojtjes e Britanisë tha sot se ekzistonte rreziku i një shpërthimi të madh kolere në qytetin port të rrethuar, sepse shërbimet mjekësore ndoshta ishin pranë kolapsit.

Të fundit