Flash News

Bota

Lewandowski drejt largimit nga Barcelona? Juventusi i ofron kontratë konkrete

Lewandowski drejt largimit nga Barcelona? Juventusi i ofron kontratë
Sulmuesi polak Robert Lewandowski mund të jetë pranë një kapitulli të ri në karrierë, pasi Juventus ka hedhur hapa konkretë për ta afruar. Sipas raportimeve nga Italia, klubi bardhezi ka paraqitur një ofertë zyrtare, ndërsa e ardhmja e tij te FC Barcelona mbetet ende e paqartë.

Kontrata e 37-vjeçarit me katalanasit skadon në fund të qershorit dhe mungesa e një marrëveshjeje për rinovim ka shtuar spekulimet për një largim të mundshëm si lojtar i lirë. Kjo situatë ka nxitur interesin e disa klubeve, me Juventusin që duket më i avancuari në garë.

Klubi italian i ka ofruar një kontratë njëvjeçare me një pagë të konsiderueshme, të shoqëruar me bonuse të lidhura me performancën. Propozimi është diskutuar në një takim mes agjentit të lojtarit, Pini Zahavi, dhe drejtuesve të Juventusit, ku është shqyrtuar edhe roli që pritet të ketë sulmuesi në skuadër.

Bisedimet vijojnë dhe një tjetër raund negociatash pritet të zhvillohet gjatë muajit maj, me synimin për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Juventus mbetet optimist dhe është i gatshëm t’i garantojë Lewandowskit një vend titullari, një element kyç për vendimin e tij.

 

Të fundit