Flash News

Bota

Lideri suprem i Iranit zotohet se do ketë përgjigje për sulmet ndaj Iranit dhe aleatëve

Lideri suprem i Iranit zotohet se do ketë përgjigje për sulmet

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, është zotuar të shtunën se do të hakmerret kundër sulmeve të Izraelit dhe aleateve të tij, Shteteve të Bashkuara, që kanë shënjestruar Teheranin dhe grupet që mbështet në rajon.

“Armiqtë, si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe regjimi zionist, e dinë se do të përballen me përgjigje të ashpër për atë që janë duke bërë kundër Iranit, kombit iranian, dhe frontit të rezistencës”, ka thënë Khamenei në një fjalim para studentëve në Teheran.

Ai i është referuar aleancës së grupeve të armatosura që përkrahen prej Iranit, përfshirë rebelët Huthi të Jemenit, Hezbollahun e Libanit dhe grupin palestinez, Hamas.

Hamasi dhe Hezbollahu janë shpallur grupe terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka futur në listën terroriste Hamasin, dhe vetëm krahun ushtarak të Hezbollahut.

Tensonet rajonale janë përshkallëzuar prej shpërthimit të luftës në Gazë, në tetor të vitit të kaluar.

Lufta është nxitur nga sulmet e militantëve të Hamasit në jug të Izraelit, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë.

Si pasojë e fushatës izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 43.000 njerëz, shumica gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./rel

Të fundit