Flash News

Bota

Lufta në Ukrainë, Gjermania ka frikë se reduktimi i gazit nga Rusia mund të bëhet i përhershëm

Lufta në Ukrainë, Gjermania ka frikë se reduktimi i gazit nga

Furnizimi me gaz natyror rus në Gjermani nëpërmjet tubacionit Nord Stream 1 të Detit Baltik është ndërprerë për 10 ditë për shkak të mirëmbajtjes vjetore.

Por ministri gjerman i ekonomisë Robert Habeck paralajmëroi se vendet e BE-së duhet të përgatiten në rast se dërgesat e gazit nuk do të rifillojnë.

Ai ka akuzuar Kremlinin për përdorimin e gazit "si armë" në përgjigje të sanksioneve të BE-së për luftën në Ukrainë.

Zoti Habeck pranoi se Gjermania ishte bërë shumë e varur nga gazi rus.

Ai e përshkroi atë si "një gabim të rëndë politik siç mund ta shohim sot, të cilin po përpiqemi ta korrigjojmë sa më shpejt që të jetë e mundur".

Ai tha se dy terminale lundrues për dërgesat e gazit natyror të lëngshëm (LNG) do të jenë gati deri në fund të vitit.

Në mesin e qershorit, firma shtetërore ruse e gazit Gazprom shkurtoi rrjedhat e gazit përmes Nord Stream 1 në vetëm 40% të kapacitetit të tubacionit.

Qeveria kanadeze thotë se tani do të kthejë një turbinë të riparuar Siemens në Gjermani për tubacionin. Ky veprim zemëroi qeverinë ukrainase, e cila akuzoi Kanadanë për përshtatjen e sanksioneve të vendosura ndaj Moskës "për tekat e Rusisë".

Kanadaja thotë se po i jep Siemens Kanadasë një "leje të kufizuar në kohë dhe të revokueshme" për të dërguar turbinat e riparuara në Gjermani, pavarësisht sanksioneve.

Qeveria gjermane është e shqetësuar se furnizimet me gaz mund të reduktohen ose të ndërpriten përgjithmonë, shkruan BBC.

Mirëmbajtja e tubacionit është normale çdo verë, kur kërkesa për gaz është më e ulët se në dimër, por shqetësimi është se Rusia mund të mos i hapë rubinetat.

Mbyllja e tubacionit po prek gjithashtu Italinë, ku grupi energjetik Eni tha se do të merrte rreth një të tretën më pak gaz nga Gazprom i Rusisë të hënën krahasuar me vëllimet mesatare të furnizuara gjatë ditëve të fundit.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, ka paralajmëruar se Rusia mund të ndërpresë plotësisht furnizimin me gaz në Evropë dhe se Evropa duhet të përgatitet tani. Rusia tashmë ka shkurtuar furnizimet me gaz për Poloninë, Bullgarinë, Holandën, Danimarkën dhe Finlandën për shkak të refuzimit të tyre për të përmbushur një skemë të re pagese.

Austria dhe Republika Çeke marrin një pjesë të gazit nga Nord Stream 1, por gazi rus gjithashtu rrjedh drejt tyre nëpërmjet një tubacioni të Ukrainës.

Të fundit