Flash News

Bota

Marrëveshja e paqes, zbardhet plani me 28 pika për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

Marrëveshja e paqes, zbardhet plani me 28 pika për t'i

Dalin në dritë detajet e një plani me 28 pika për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë thotë se plani  i diskutuar nga SHBA-të dhe Ukraina në Gjenevë gjatë fundjavës është miratuar nga Presidenti Donald Trump pasi është hartuar nga zyrtarët e tij.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, gjithashtu këmbëngul se kuadri ishte "i hartuar nga SHBA-të", megjithëse pranon se ishte "bazuar në kontributin nga pala ruse".

Kjo pasi një grup senatorësh amerikanë thanë se Rubio u tha atyre se plani nuk ishte një propozim amerikan - se ai përfaqësonte qëndrimin rus dhe ishte publikuar nga Moska.

Udhëheqësit evropianë shprehën shqetësim për planin me 28 pika, duke thënë se ishte shumë i favorshëm për Rusinë dhe theksuan se do të "kërkonte punë shtesë".

BBC ende nuk e ka parë dokumentin të plotë - por ja një përmbledhje e pesë gjërave që dimë se ishin në planin fillestar:

Një afat: Trump fillimisht i dha Ukrainës deri të enjten, 27 nëntor (Dita e Falënderimeve) për të pranuar planin me 28 pika, por tha se kjo mund të zgjatet nëse bisedimet "po shkojnë mirë".
Dorëzimi i territorit: Trupat e Zelensky duhet të tërhiqen nga pjesë të rajonit të Donetskut që aktualisht kontrollojnë. Kontrolli rus i rajonit do të njihej ndërkombëtarisht, si dhe kontrolli i Moskës mbi rajonin fqinj Luhansk dhe gadishullin jugor të Krimesë, i cili u aneksua nga Rusia në vitin 2014.
Shkurtimi i forcave të armatosura: Ukrainës i kërkohet të shkurtojë forcat e saj të armatosura në 600,000 njerëz - janarin e kaluar u vlerësua në rreth 880,000 personel aktiv.
E ardhmja e Ukrainës: Kievi duhet të angazhohet për të mos u bashkuar me NATO-n, megjithëse do të ishte ende i kualifikuar për anëtarësim në BE.
Rikthimi i Rusisë nga izolimi: Vendi do të "riintegrohej" në ekonominë globale.
Megjithatë, është e rëndësishme të mbahet mend se plani fillestar është duke u negociuar dhe mund të ndryshojë ndjeshëm.

SHBA-të thonë se "bazuar në rishikimet dhe sqarimet e paraqitura" në Gjenevë, ukrainasit "besojnë se drafti aktual pasqyron interesat e tyre kombëtare dhe ofron mekanizma të besueshëm dhe të zbatueshëm për të mbrojtur sigurinë e Ukrainës si në planin afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë". .

Të fundit