Flash News

Bota

Mbajti qëndrim neutral për luftën/ Biden flet sot me kryeministrin indian, çfarë do të diskutojnë

Mbajti qëndrim neutral për luftën/ Biden flet sot me

Presidenti Joe Biden do të flasë sot me kryeministrin indian Narendra Modi, ndërsa po u bën presion liderëve botërorë që të mbajnë një qëndrim të ashpër kundër pushtimit rus në Ukrainë, shkruan AP.

Qëndrimi neutral i Indisë në luftë ka ngritur shqetësime në Uashington dhe ka fituar lëvdata nga Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, i cili lavdëroi Indinë këtë muaj për gjykimin e "situatës në tërësinë e saj, jo vetëm në një mënyrë të njëanshme".

Së fundmi, India abstenoi kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi të enjten për të pezulluar Rusinë nga vendi i saj në Këshillin e të Drejtave të Njeriut prej 47 anëtarësh mbi akuzat se ushtarët rusë në Ukrainë janë përfshirë në shkelje të të drejtave që SHBA dhe Ukraina i kanë quajtur krime lufte.

Në takimin virtual, Biden do të flasë për pasojat e luftës së Rusisë kundër Ukrainës “dhe zbutjen e ndikimit të saj destabilizues në furnizimin global të ushqimit dhe tregjet e mallrave”, tha në një deklaratë dje sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

Ata do të diskutojnë "forcimin e ekonomisë globale dhe ruajtjen e një rendi ndërkombëtar të lirë, të hapur, të bazuar në rregulla për të forcuar sigurinë, demokracinë dhe prosperitetin në Indo-Paqësorin", shtoi ajo.

India vazhdon të blejë furnizime ruse me energji, pavarësisht presionit nga vendet perëndimore për të shmangur blerjen e naftës dhe gazit rus. SHBA ka konsideruar gjithashtu sanksione ndaj Indisë për blerjen e fundit të sistemeve të avancuara ruse të mbrojtjes ajrore.

Muajin e kaluar, kompania shtetërore Indian Oil Corp bleu 3 milionë fuçi naftë bruto nga Rusia për të siguruar nevojat e saj, duke iu rezistuar thirrjeve nga Perëndimi për të shmangur blerje të tilla. Megjithatë, India nuk është e vetmja në blerjen e energjisë ruse. Disa aleatë evropianë si Gjermania kanë vazhduar ta bëjnë këtë, pavarësisht presionit publik për t'i dhënë fund këtyre kontratave.

Raportet e mediave indiane thanë se Rusia po ofronte një zbritje për blerjet e naftës prej 20% nën çmimet standarde globale.

Iraku është furnizuesi kryesor i Indisë, me një pjesë prej 27%. Arabia Saudite është e dyta me rreth 17%, e ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe me 13% dhe SHBA me 9%, njoftoi agjencia e lajmeve Press Trust of India. Biden dhe Modi folën për herë të fundit në mars.

Të fundit