Flash News

Bota

Mbi 1.7 milionë njerëz preken nga përmbytjet në Kinë, shemben mijëra shtëpi

Mbi 1.7 milionë njerëz preken nga përmbytjet në Kinë,

Më shumë se 1.7 milionë njerëz janë prekur nga përmbytjet e mëdha në provincën Shanxi të Kinës, shkruan BBC.

Shiu i rrëmbyeshëm javën e kaluar çoi në shembjen e shtëpive dhe shkaktoi rrëshqitje të dheut në më shumë se 70 rrethe dhe qytete. Reshjet e dendura të shiut po pengojnë përpjekjet e shpëtimit, thanë zyrtarët.

Përmbytjet vijnë më pak se tre muaj pasi shirat ekstremë në provincën Henan lanë më shumë se 300 viktima.

Shanxi është gjithashtu shtëpia e një sërë monumentesh të lashta të cilat janë në rrezik të madh nga reshjet e mëdha të shiut.

Autoritetet i thanë agjencisë së lajmeve Xinhua se më shumë se 120,000 njerëz janë transferuar dhe zhvendosur urgjentisht dhe se 17,000 shtëpi janë shembur në të gjithë provincën Shanxi.

Katër policë kanë humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes toke. Shanxi është një provincë kryesore e prodhimit të qymyrit dhe qeveria kineze u detyrua të ndalojë operacionet në miniera dhe fabrika kimike si pasojë e shiut.

Kina tashmë po përballet me një mungesë të energjisë e cila ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit. Qeveria ka kufizuar përdorimin e energjisë elektrike në portet dhe fabrikat.

 

Të fundit