Flash News

Bota

Mbreti Charles përjashton nga rezidenca mbretërore Princin Andrew

Mbreti Charles përjashton nga rezidenca mbretërore Princin Andrew

Buckingham Palace ka njoftuar se Mbreti Charles III i ka hequr vëllait të tij, Princit Andrew, të gjithë titujt që i kishin mbetur dhe e ka detyruar të largohet nga rezidenca e tij mbretërore.

Në një deklaratë zyrtare, pallati bëri të ditur se tashmë ai do të njihet me emrin Andrew Mountbatten-Windsor, dhe jo më si princ. Ky vendim vjen pas zhvillimeve të fundit që lidhen me marrëdhënien e tij me të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

Buckingham Palace theksoi se ka nisur procesin zyrtar të heqjes së titujve, duke nënvizuar se familja mbretërore qëndron në krah të viktimave dhe të mbijetuarve të çdo forme abuzimi. Fëmijët e Princit Andrew, Princesha Beatrice dhe Princesha Eugenie, do të ruajnë titujt e tyre mbretërorë.

Sipas BBC, Andrew nuk kundërshtoi vendimin e mbretit për t’u zhveshur nga titujt dhe për t’u larguar nga rezidenca e tij.

Deklarata e plotë e Pallatit:

“Madhëria e Tij ka nisur sot një proces zyrtar për heqjen e titujve dhe nderimeve të Princit Andrew.

Deri më sot, kontrata e qirasë e rezidencës ‘Royal Lodge’ i siguronte atij mbrojtje ligjore për të vazhduar të qëndronte aty. Tani ai është njoftuar zyrtarisht për ndërprerjen e kontratës dhe do të zhvendoset në një banesë private alternative.

Këto masa konsiderohen të domosdoshme, pavarësisht se ai vijon të mohojë akuzat kundër tij.

Madhëritë e Tyre duan të bëjnë të qartë se mendimet dhe keqardhja e tyre më e thellë kanë qenë dhe do të mbeten me viktimat dhe të mbijetuarit e çdo forme abuzimi.”

Presioni ndaj pallatit për të larguar Andrew nga rezidenca Royal Lodge ishte rritur ndjeshëm, pasi më herët këtë muaj ai u detyrua të hiqte dorë edhe nga titulli i Dukës së Jorkut, për shkak të lidhjeve me Epstein dhe akuzave të Virginia Giuffre.

Megjithatë, mbreti shkoi edhe më tej, duke e privuar Andrew nga titulli i princit, që e mbante që prej lindjes si djalë i Mbretëreshës Elizabeth II.

Në librin e saj, Giuffre shkruan se Andrew “besonte se ishte e drejta e tij trashëgimore të bënte seks me mua”. Publikimi i fragmenteve të librit shkaktoi reagime të ashpra, çka çoi në vendimin që Andrew të hiqte dorë jo vetëm nga titulli i Dukës së Jorkut, por edhe nga titujt:

Kalorës i Madh i Urdhrit Mbretëror Viktorian (GCVO)

Kalorës Mbretëror i Urdhrit të Lavdishëm të Garter-it

Në rendin e trashëgimisë për fronin britanik, Princi Andrew aktualisht renditet i teti, pas Princit William, tre fëmijëve të tij, si dhe Princit Harry me dy fëmijët e tij.

Të fundit