Flash News

Bota

Me mikrofona të hapur, apo jo? Si do të zhvillohet debati Trump - Harris

Me mikrofona të hapur, apo jo? Si do të zhvillohet debati Trump -

Nënpresidentja demokrate Kamala Harris dhe rivali i saj republikan, ish-Presidenti Donald Trump  nuk janë takuar dhe as kanë folur ndonjëherë me njëri-tjetrin, por ata po përplasen në lidhje me kushtet e përballjes së tyre të parë që po planifikohet për në 10 shtator.

Kur dy ekipet elektorale patën rënë dakord për debatin televiziv kombëtar prej 90-minutash në kanalin ABC Neës në qytetin lindor Filadelfia, ishte me të njëjtat kushte sipas të cilave ish-Presidenti Trump debatoi me Presidentin Joe Biden në fund të qershorit, me mikrofonat e mbyllur gjatë kohës kur fliste kandidati tjetër.

Tashmë, Nënpresidentja Harris po kërkon që të lihen mikrofonat ndezur gjatë gjithë debatit. Është një lëvizje që mund të çojë në shkëmbime më të gjalla dhe të drejtpërdrejta midis dy kandidatëve – ose në aq shumë shkëmbime sa që miliona shikues që priten ta ndjekin mund të kenë vështirësi të dëgjojnë pikëpamjet konkurruese të kandidatëve.

Brian Fallon, zëdhënës i fushatës së zonjës Harris, pohoi se “ndihmësat e Trump-it preferojnë mikrofonin e fikur, sepse ata nuk mendojnë se kandidati i tyre mund të tregohet presidencial për 90 minuta i vetëm”. Ai tha se Nënpresidentja Harris “është e gatshme të merret me gënjeshtrat e vazhdueshme të Trump-it dhe ndërprerjet në kohë reale. Trump-i duhet të ndalojë së fshehuri pas butonit të heshtjes”.

Ish-Presidenti Trump duket se sinjalizoi se kjo nuk do të bënte ndonjë ndryshim të madh për të, duke u thënë gazetarëve të hënën: “Ramë dakord për të njëjtat rregulla. Nuk e di, nuk ka rëndësi për mua… Marrëveshja ishte se do të ishte njësoj si herën e kaluar. Në atë rast ishin të fikur”.

“E vërteta është se ata po përpiqen të dalin nga marrëveshja”, akuzoi ish-Presidenti Trump ekipin elektoral të Nënpresidentes Harris. Vetë zoti Trump sugjeroi në një postim të dielën në mbrëmje në platformën e tij “Truth Social”, se ndoshta nuk do të paraqitet në debatin në kanalin ABC.

Ish-Presidenti Trump shprehu pakënaqësinë e tij në lidhje me emisionin e lajmeve të së dielës së këtij rrjeti me një “të ashtuquajtur Panel të urrejtësve të Trump-it” dhe pyeti në mënyrë retorike: “Përse do ta bëja debatin kundër Kamala Harris-it në atë rrjet?” Ai u bëri thirrje mbështetësve që të presin për zhvillimet e mëtejshme.

Debati i 27 qershorit, mes ish-Presidentit Trump dhe Presidentit Biden luajti një rol kyç në fushatën presidenciale të këtij viti. Paraqitja e dobët e 81-vjeçarit Biden, me humbje të rrjedhës së mendimit dhe duke mos arritur ta sfidojë drejtpërdrejt ish-Presidentin Trump, shtyu aleatët demokratë në Kongres t’i kërkojnë atij t’i jepte fund fushatës për rizgjedhje.

Ai u tërhoq nga kandidimi më 21 korrik dhe i dha mbështetjen Nënpresidentes Harris, ndërsa zyrtarët kryesorë demokratë përqafuan me shpejtësi kandidaturën e saj.

 

Të fundit