Flash News

Bota

Mes tensioneve, presidenti ukrainas i drejtohet kombit: 14 mijë mbrojtës na shohin nga qielli, nuk dorëzohemi

Mes tensioneve, presidenti ukrainas i drejtohet kombit: 14 mijë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar pas deklaratave të diplomatëve se 16 shkurti do të shënojë edhe ditën kur Rusia do sulmojë mbi Ukrainën. Zelensky ka dalë me një deklaratë drejtuar kombit të tij.

Në deklaratë, presidenti ukrainas kërkoi nga populli që 16 shkurti për të cilën thonë se do të jetë datë sulmi, ta kthejnë në një ditë bashkimi. Zelensky shprehet se ushtria ukrainase do t’ia dalë të qëndrojë e fortë dhe të mos tradhtojnë kujtimin e 14 mijë mbrojtësve dhe civilëve të vdekur në luftë.

“Na thonë se 16 shkurti do të jetë dita e sulmit. Do ta bëjmë një ditë bashkimi. Dekreti tashmë është nënshkruar. Sot pasdite do të varim flamuj kombëtarë, do të vendosim shirita të verdhë-blu dhe do t'i tregojmë botës unitetin tonë. Ne kemi një aspiratë të madhe evropiane. Ne duam lirinë dhe jemi gati ta votojmë. 14 mijë mbrojtës dhe civilë të vdekur në këtë luftë po na shikojnë nga qielli. Dhe ne nuk do ta tradhtojmë kujtimin e tyre. Të gjithë duam të jetojmë të lumtur dhe lumturia i do të fortët. Nuk kemi mundur kurrë të dorëzohemi dhe nuk do ta mësojmë këtë”, deklaroi Zelensky.

Rusia është rreshtuar me armatime dhe ushtri të blinduar në kufi me Ukrainën. Nga ana tjetër, edhe Kievi ka marrë masa për t’u kundërpërgjigjur dhe vetëmbrojtur në rast sulmi.

Mediet e huaja pohuan pak ditë më parë se 16 shkurti është edhe dita që do të shënojë pushtimin e Ukrainës. Ndërsa Perëndimi, SHBA dhe Britania e Madhe i kanë bërë thirrje të vazhdueshme presidentit Vladimir Putin, ky i fundit nuk ka komentuar deklaratat.

Presidenti amerikan Joe Biden rikonfirmoi vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës, duke paralajmëruar sanksione masive ekonomike dhe financiare për Rusinë.

Të fundit