Flash News

Bota

Miratoi vaksinën kundër COVID, Rusia pritet të nisë vaksinimin gjatë periudhës dhjetor-janar

Miratoi vaksinën kundër COVID, Rusia pritet të nisë

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, ka deklaruar së fundmi se Rusia do të nisë vaksinimin masiv kundër COVID-19 në periudhën dhjetor-janar, teksa synon të hapë edhe dy spitale tjera.

Lajmin e bëri të ditur vetë Sobyanin nëpërmjet një njoftimi të ditës së djeshme, në faqen e tij zyrtare, pa dhënë detaje sesi do ta menaxhojë qyteti këtë proces.

Kujtojmë se në muajin gusht, Rusia ka miratuar vaksinën për koronavirus, të ashtuquajtur Sputnik-V për përdorim të brendshëm, njëherësh vendi i parë që ka marrë një hap të tillë, duke nxitur debate në mesin e komunitetit ndërkombëtar të shkencëtarëve të cilët kanë pretenduar se nuk janë kryer teste të mjaftueshme për të.

Mirëpo zyrtarët shëndetësorë rusë kanë përkrahur vaksinën, teksa tashmë Rusia ka miratuar vaksinën e dytë dhe kishte planifikuar të nisë testimin e së tretës më 19 tetor.

Rusia, që renditet si vendi i katërti në botë për nga numri i të prekurve me COVID, është duke përjetuar valën e dytë të rasteve, sikurse shumë vende tjera në botë.

Dy objektet e reja spitalore që do të ndërtohen brenda një parku lokal dhe një qendre tregtare të madhe, pritet të kenë kapacitet për të trajtuar rreth 3,500 pacientë me koronavirus.

Moska ka regjistruar 5,376 raste të reja më 19 tetor, njëherësh numrin më të madh prej 12 majit.

Autoritetet e qytetit kanë nisur të ashpërsojnë masat për të parandaluar përhapjen e virusit, teksa policia në Moskë është duke patrulluar transportin publik për të siguruar që njerëzit janë duke vendosur maskat.

Nga ana tjetër qeveria gjurmon në mënyrë digjitale personat që vizitojnë baret dhe klubet tjera.

Të fundit