Flash News

Bota

Moti ekstrem i ka kushtuar Evropës 50 miliardë euro, sa njerëz kanë humbur jetën në 40 vjet

Moti ekstrem i ka kushtuar Evropës 50 miliardë euro, sa njerëz

Valët e të nxehtit, përmbytjet dhe ngjarje të tjera të motit ekstrem kanë vrarë 142,000 njerëz në Evropë gjatë 40 viteve të fundit dhe i kanë kushtuar ekonomive evropiane më shumë se 500 miliardë euro, sipas një raporti.

Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) kërkoi strategji më të mira për trajtimin e motit ekstrem si në nivel individual ashtu edhe në atë pan-evropian. Gjithashtu vuri në dukje se vetëm në një të katërtën e rasteve dëmi ishte i siguruar.

Të ashtuquajturat 'ngjarje klimatike', të cilat përfshijnë valët e të nxehtit, por edhe të ftohtit, thatësirat dhe zjarret në pyje, përbëjnë 93% të numrit total të vdekjeve dhe 22% të dëmeve financiare.

Përmbytjet ishin fatkeqësitë më të kushtueshme në aspektin financiar, ndërkohë, duke arritur në 44% të faturës totale, përpara stuhive (34%).

Disa ngjarje shumë serioze përqendrojnë pjesën më të madhe të bilancit: 3% e fatkeqësive të identifikuara janë kështu përgjegjëse për afërsisht 60% të kostos financiare për periudhën 1980-2020.

Vetëm një valë e nxehtë e vitit 2003 shkaktoi vdekjen e rreth 80,000 njerëzve në 32 vendet evropiane të studiuara, duke përfshirë 27 anëtarët e Bashkimit Evropian, si dhe Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Globalisht, Organizata Botërore Meteorologjike vlerëson se numri i fatkeqësive të lidhura me motin është rritur gjatë 50 viteve të fundit, duke shkaktuar më shumë dëme materiale, por më pak vdekje.

Për Evropën, EEA vlerëson se të dhënat e 40 viteve të fundit nuk lejojnë të konkludohet me siguri se këto fenomene janë shtuar për shkak të ndryshimeve klimatike për shkak të dëmtimeve shumë të parregullta në varësi të vitit, por se rreziku do të rritet.

"Të gjitha fatkeqësitë që ne i përshkruajmë si të lidhura me motin dhe klimën janë të ndikuara nga kushtet klimatike. Por kjo nuk do të thotë se ato janë të gjitha të ndikuara nga ndryshimet klimatike," tha Wouter Vanneuville, nga EEA.

Studimet e fundit, duke përfshirë punën e IPCC, tregojnë se shpeshtësia dhe ashpërsia e ngjarjeve të tilla si thatësirat dhe zjarret në pyje shpjegohen më mirë nga ndryshimet klimatike, shtoi ai.

Vanneuville paralajmëroi se modelet e klimës në Evropë parashikojnë ngjarje më të shpeshta dhe më të rënda, duke përfshirë stuhitë, përmbytjet, rrëshqitjet e dheut, thatësirat dhe zjarret në pyje.

EEA tha se masat e marra në nivel individual dhe shtetëror janë thelbësore për të shmangur rreziqet që lidhen me ngjarjet ekstreme dhe për të kufizuar dëmet.

Në nivel kombëtar, Gjermania është vendi evropian që ka pësuar më shumë me 42 mijë vdekje dhe humbje financiare që arrijnë në 107 miliardë euro.

Franca vijon me 26700 të vdekur dhe 99 miliardë euro dëme. Vetëm 23% e pronave që pësuan dëme materiale në të gjithë Evropën ishin të siguruara, por pabarazitë janë të konsiderueshme: për shembull, 1% në Rumani dhe Lituani kundrejt 55% në Holandë ose 56% në Danimarkë.

Fatkeqësitë si tërmetet dhe shpërthimet vullkanike nuk janë përfshirë në shifra pasi ato nuk janë meteorologjike.

Sipas një vlerësimi të ngjashëm të vendosur nga agjencia meteorologjike amerikane NOAA, Shtetet e Bashkuara kanë pësuar 310 fatkeqësi meteorologjike dhe klimatike që nga viti 1980, për dëme që kalojnë 2.155 miliardë dollarë.

Burimi: Euronews

Të fundit