Flash News

Bota

Netanyahu: Izraeli do e nënshtrojë Gazën, do apo nuk do Hamasi të pranojë marrëveshjen për pengjet

Netanyahu: Izraeli do e nënshtrojë Gazën, do apo nuk do Hamasi

Në një intervistë për televizionin australian, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka akuzuar Australinë dhe vendet perëndimore për qëndrimin e tyre ndaj mbështetësve të terrorizmit anti-perëndimor. Ai gjithashtu ka kritikuar Kryeministrin australian Anthony Albanese, duke e cilësuar si “të dobët”, dhe ka shprehur keqardhjen e tij për atë që e quajti një “tsunami antisemitizmi”.

Gjatë intervistës, gazetarja Sharri Markson e pyeti Netanyahu-n nëse Izraeli kishte ndërmend të pushtonte të gjithë Rripin e Gazës dhe të eliminonte Hamasin, edhe nëse kjo organizatë terroriste pranonte një armëpushim dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Sipas Times of Israel, Netanyahu u përgjigj pozitivisht.

“Do ta bëjmë gjithsesi. Nuk ka pasur kurrë dyshim që do të linim Hamasin aty,” tha ai, duke shtuar se lufta “mund të përfundojë sot” nëse Hamasi “dorëzon armët dhe liron 50 pengjet e mbetura, të paktën 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë”.

Ushtria izraelite paralajmëron ofensivë në Gaza City

Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë njoftuar se kanë nisur shpërndarjen e “paralajmërimeve fillestare” për autoritetet mjekësore dhe organizatat ndërkombëtare në veri të Rripit të Gazës, përpara një ofensive të planifikuar në qytetin e Gazës.

Sipas IDF-së, në kuadër të përgatitjeve për evakuimin e popullsisë civile nga qyteti i Gazës drejt jugut të enklavës, oficerë të komandës COGAT për koordinim dhe bashkëpunim në Gaza, kanë informuar të martën zyrtarë mjekësorë dhe organizata ndihmash për të nisur përgatitjet për zhvendosjen e banorëve.

“Po ju flas për mundësinë që ushtria të hyjë në qytetin e Gazës. Do të ketë një evakuim të plotë drejt jugut të Rripit,” dëgjohet të thotë një oficer i COGAT në një bisedë telefonike me një zyrtar shëndetësor në Gaza.

“Kjo kërkon nga ju të përgatitni një plan për transferimin e pajisjeve mjekësore nga veriu në jug, në mënyrë që të mund të kujdeseni për të gjithë pacientët në atë zonë dhe të përgatitni spitalet për të pritur të plagosurit që vijnë nga veriu,” shton ai.

Oficeri theksoi gjithashtu se është me rëndësi që ky informacion të vijë nga një burim zyrtar dhe premtoi mbështetje me strehim për shërbimet shëndetësore, qoftë në spitale ekzistuese apo spitale fushore.

IDF ka njoftuar gjithashtu se infrastruktura spitalore në jug të Gazës po përshtatet për të pritur të sëmurët dhe të plagosurit, krahas rritjes së importeve të pajisjeve mjekësore në përputhje me kërkesat e organizatave ndërkombëtare të ndihmës.

Të fundit