Flash News

Bota

Nis raundi i tretë i bisedimeve Ukrainë-Rusi

Nis raundi i tretë i bisedimeve Ukrainë-Rusi

Në Bjellorusi ka nisur raundi i tretë i bisedimeve ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, njoftoi agjencia shtetërore e mediave Rusia 24.

Vendndodhja për këtë ngjarje nuk është bërë e ditur. Raundi i parë i bisedimeve, më 28 shkurt, dhe ai i dyti, më 3 mars u zhvilluan në Bjellorusi.

Edhe këtë herë, fokusi i bisedimeve do të jenë korridoret humanitare - për të lejuar civilët ukrainas të shpëtojnë nga veprimet ushtarake, ndërsa bombardimet ruse të qendrave të qyteteve vazhdojnë në jug dhe në lindje të vendit.

Një përpjekje e mëparshme për të krijuar korridore humanitare të shtunën u rrëzua kur armëpushimi dështoi.

Gjatë natës të së dielës, një propozim i ri nga Rusia u cilësua "i papranueshëm" nga zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, pasi u bë e qartë se njerëzve që ikin nga Kievi do t'u ofrohet kalim i sigurt në aleatin e Rusisë, Bjellorusia, ndërsa ata në Kharkiv do të kenë një korridor që të çon vetëm për vetë Rusinë.

Nga katër qytetet e përmendura, vetëm ato më të voglat - Mariupol dhe Sumy - kanë rrugë evakuimi që të çojnë në pjesë të tjera të Ukrainës. Një zëdhënës i Presidentit të Ukrainës Zelensky e quajti atë "një histori krejtësisht imorale".

Më shumë se 1.7 milionë ukrainas janë larguar deri më tani nga vendi i shkatërruar nga lufta, ndërsa pushtimi vazhdon në ditën e tij të 12-të.

Ndërkohë, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov dhe ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba do të takohen të enjten në Antalia, Turqi, sipas ministrisë së jashtme ruse. Kjo ende nuk është konfirmuar nga Ministria e Jashtme e Ukrainës.

Të fundit