Flash News

Bota

Nisen nga Ukraina dy anije të tjera me grurë

Nisen nga Ukraina dy anije të tjera me grurë

Dy anije të tjera që transportojnë drithë janë larguar nga porti Chornomorsk i Ukrainës, tha Ministria e Mbrojtjes e Turqisë të shtunën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të anijeve tw larguara nga portet e Detit të Zi të Ukrainës sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB për eksportin e grurit në 27.

Anijet ‘Zumrut Ana’ dhe ‘MV Ocean S’, të cilat janë të autorizuara të nisen më 20 gusht, u ngarkuan me 6,300 ton vaj luledielli dhe 25,000 ton grurë, tha në një deklaratë qendra e përbashkët e koordinimit e krijuar për të mundësuar kalimin e sigurt, shkruan Reuters.

Autoriteti i Porteve Detare të Ukrainës tha të shtunën, se tre porte detare ukrainase kishin filluar ngarkimin e ushqimit në shtatë anije, të cilat do të dërgonin 66,500 ton grurë, misër dhe vaj luledielli për konsumatorët.

Eksportet e drithërave të Ukrainës kanë rënë që nga fillimi i luftës, sepse portet e saj të Detit të Zi - një rrugë jetike për dërgesat - u mbyllën, duke rritur çmimet globale të ushqimit dhe duke shkaktuar frikë nga mungesa në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

Në fund të korrikut, tre porte të Detit të Zi u zhbllokuan sipas një marrëveshjeje midis Moskës dhe Kievit, të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia.

Autoriteti tha se ushqimet me origjinë ukrainase do të dërgohen në Francë, Sudan, Turqi dhe Holandë.

Ministri i Infrastrukturës së Ukrainës, Oleksandr Kubrakov tha të premten se dhjetë anije të tjera mallrash po ngarkoheshin me grurë në portet e Detit të Zi të Ukrainës dhe po përgatiteshin për dërgesë.

Ai tha se 25 anije ishin dërguar tashmë nga tre portet e Ukrainës, me 630,000 ton produkte bujqësore në bord.

Të fundit