Flash News

Bota

Një muaj pas sulmeve në Kashmir, kryeministri i Indisë përjashton bisedimet me Pakistanin

Një muaj pas sulmeve në Kashmir, kryeministri i Indisë

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ndërsa foli në një tubim publik të enjten në Bikaner të Rajasthanit, përjashtoi çdo bisedë me Islamabadin.

Ai u zotua të bëjë që ekonomia dhe ushtria e Pakistanit, të paguajnë për çdo agresion në tokën indiane, pasi tensionet midis fqinjëve të Azisë Jugore mbeten të larta një muaj pas sulmeve vdekjeprurëse në Kashmir.

Ai paralajmëroi se “luajtja me gjakun e indianëve do t’i kushtojë shtrenjtë Pakistanit”.

“Nuk do të ketë tregëti apo bisedime me Pakistanin,. Për çdo sulm terrorist, Pakistani do të duhet të paguajë një kosto të lartë. Dhe kjo kosto do të paguhet nga ushtria e vendit dhe ekonomia e tyre”, tha ai.

Kryeministri i dërgoi një mesazh të fortë Pakistanit mbi terrorizmin. Ai tha se nëse Islamabadi vazhdon të “eksportojë terroristë, do të mbetet duke lypur çdo qindarkë”.

Ai riafirmoi se Pakistani nuk do të marrë ujë nga lumenjtë e Indisë, duke përsëritur vendimin për pezullimin e Traktatit të Ujërave të Indusit.

“Pakistani nuk do të marrë asnjë pikë uji që i përket Indisë. Të luash me gjakun e indianëve do t’i kushtojë shtrenjtë Pakistanit. Kjo është vendosmëria e Indisë dhe askush në botë nuk mund të na dekurajojë nga ky angazhim”, deklaroi ai.

Të dy vendet e armatosura me armë bërthamore ishin pranë një lufte të plotë në fillim të këtij muaji, duke u angazhuar në sulme ushtarake, përpara se të vendosej një armëpushim i pasigurt. Tregtia mbetet e pezulluar dhe lidhjet diplomatike janë shumë të tendosura.

Konflikti u ndez pasi persona të armatosur hapën zjarr ndaj turistëve në Kashmir më 22 prill, duke vrarë deri në 26 persona në një nga sulmet më të rënda ndaj civilëve në rajonin e diskutueshëm. New Delhi e quajti masakrën një akt terrorizmi të orkestruar nga Pakistani. Udhëheqësit në Islamabad kanë mohuar përfshirjen.

Të dy kombet po përpiqen gjithashtu të fitojnë opinionin botëror duke dërguar delegacione të ndara në të gjithë vendet për të paraqitur qëndrimet e tyre përkatëse.

Të fundit