Flash News

Bota

OBSH dhe UNICEF ngrejnë shqetësimin: Rreth 130 vende ende pa asnjë dozë vaksine anti-Covid, shtetet të zbatojnë një strategji

OBSH dhe UNICEF ngrejnë shqetësimin: Rreth 130 vende ende pa
Foto ilustruese

Pothuajse 130 vende, me 2.5 miliardë njerëz, ende nuk kanë marrë një dozë të vetme të vaksinës anti-Covid deri më tani.

UNICEF dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë u bën thirrje shteteve, që të zbatojnë një strategji për vaksinat “e cila do të kufizojë variantet e reja dhe do t’i japë fund pandemisë”.

Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF, Henrietta Fore dhe Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus thanë në një deklaratë të përbashkët se “nga 128 milionë doza vaksinash që janë administruar deri tani, më shumë se treçereku i tyre janë bërë në vetëm 10 shtete që përbëjnë 60% të GDP-së”.

“Punonjësit shëndetësorë kanë qenë në vijën e parë të pandemisë në mjediset me të ardhura më të ulëta dhe të mesme dhe duhet të mbrohen së pari në mënyrë që të mund të na mbrojnë,” thanë ata.

Krerët e UNICEF dhe OBSH thanë se vendet pjesëmarrëse të Covax po përgatiten të marrin dhe përdorin vaksina. “Punonjësit shëndetësorë janë trajnuar, sistemet e zinxhirit të ftohtë janë të përgatitur. Ajo që mungon është furnizimi i drejtë i vaksinave", u shprehën Henrietta dhe Tedros.

Për të filluar shpërndarjen e vaksinave në të gjitha vendet brenda 100 ditëve të para të 2021, ata rekomanduan që qeveritë që kanë vaksinuar punonjësit e tyre shëndetësorë dhe popullatat në rrezik më të lartë të sëmundjes së rëndë, të ndajnë vaksinat përmes Covax në mënyrë që vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë.

Të fundit