Flash News

Bota

OKB: 2/3 e fëmijëve ukrainas kanë ikur nga shtëpitë e tyre, rreth 3 mln rrezikojnë të mos kenë ushqim

OKB: 2/3 e fëmijëve ukrainas kanë ikur nga shtëpitë e

Gati dy të tretat e të gjithë fëmijëve ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre në gjashtë javë që nga nisja e pushtimit të Rusisë, tha agjencia e OKB-së për fëmijë UNICEF.

OKB-ja ka verifikuar gjithashtu vdekjen e 142 të rinjve, megjithëse ata kanë paralajmëruar se numri aktual është pothuajse me siguri shumë më i lartë.

Manuel Fontaine, drejtor i programeve të urgjencës i UNICEF-it, i cili sapo u kthye nga Ukraina, tha se të shpërnguleshin 4.8 milionë nga 7.5 milionë fëmijët e Ukrainës në një kohë kaq të shkurtër, është diçka që ai nuk e kishte parë të ndodhte kaq shpejt në 31 vjet punë humanitare.

"Nga 3.2 milionë fëmijë që vlerësohet se kanë mbetur në shtëpitë e tyre, gati gjysma mund të rrezikojnë të mos kenë ushqim të mjaftueshëm," i tha Fontaine këshillit të sigurimit të OKB-së.

Ai paralajmëroi se situata ishte ndoshta më e keqe në qytete si Mariupol dhe Kherson, ku nuk kishte shërbime të ujit dhe kanalizimeve dhe furnizimi me ushqim dhe ilaçe ishte ndërprerë.

Ndërkohë ambasadori i Ukrainës në OKB, Sergiy Kyslytsya, pretendoi se Rusia ka marrë më shumë se 121,000 fëmijë nga Ukraina dhe thuhet se ka hartuar një projekt-ligj për të thjeshtuar dhe përshpejtuar procedurat e birësimit.

Fontaine tha se deri më tani nuk kishte "asnjë provë" për akuza të tilla, por se UNICEF do të hetonte çështjen.

Burimi: BBC

Të fundit