Flash News

Bota

Parlamenti bullgar miraton ndihmën ushtarake për Ukrainën, kritikët: Po shtyni vendin në luftë

Parlamenti bullgar miraton ndihmën ushtarake për Ukrainën,

Një shumicë e ligjvënësve bullgarë miratuan dërgimin e ndihmës së parë ushtarake të vendit në Ukrainë. Qeveria ka tani një muaj kohë për të vendosur se çfarë lloj armësh mund të sigurojë Bullgaria pa prekur aftësitë e saj mbrojtëse.

Bullgaria më parë ra dakord të riparonte pajisjet ushtarake ukrainase në fabrikat e saj, por refuzoi të dërgonte armë drejtpërdrejt për shkak të kundërshtimit të presidentit Rumen Radev dhe partive politike miqësore të vendit ndaj Moskës.

Së bashku me Hungarinë, Bullgaria ishte i vetmi vend anëtar i BE-së që kishte refuzuar t'i jepte Ukrainës armë ndërsa ajo luftonte pushtimin dhe luftën e Rusisë.

"Më shumë armë do të thotë më shumë luftë," tha kryetarja e Partisë Socialiste Bullgare Kornelia Ninova, duke shpjeguar pse ligjvënësit e partisë së saj votuan kundër propozimit.

Debati i nxehtë që i parapriu votimit pasqyroi ndarjet në Bullgari që kur Rusia pushtoi fqinjin e saj. Edhe pse vendi i përket si NATO-s dhe BE-së, shumë bullgarë ushqejnë simpatitë e forta për Rusinë, të rrënjosura në histori, kulturë dhe fe.

Presidenti Radev, një ish-gjeneral i ushtrisë, është akuzuar për mbajtjen e lidhjeve të ngushta me Moskën dhe homologun e tij rus Vladimir Putin.

Radev i ka hedhur poshtë akuzat, duke pohuar se e ka dënuar agresionin rus “që nga dita e parë e kësaj lufte”.

Bullgaria gjithashtu mbështetet shumë në furnizimet ruse të energjisë, që ka qenë një tjetër pikë grindjeje midis partive politike pro-ruse dhe pro-BE në Bullgari.

Partia nacionaliste pro-ruse Vazrazhdane u bëri thirrje mbështetësve të saj të mblidhen para ndërtesës së parlamentit për të protestuar kundër ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke thënë se ndihma "e shtyn vendin në luftë".

Burimi: Euronews

Të fundit