Flash News

Bota

Partia e Orban largohet nga grupi parlamentar i Partive Popullore Europiane

Partia e Orban largohet nga grupi parlamentar i Partive Popullore Europiane

Partia "Fidesz" e kryeministrit hungarez, Victor Orban është larguar nga grupi parlamentar i Partive Popullore Europiane, (PPE).

Këtë gjë e ka konfirmuar vetë EPP në një postim në faqen e saj ku shkruan: "Udhëheqja e partisë është informuar për qëllimin e anëtarëve të Fidesz për t'u larguar nga Grupi i EPP. Fidesz tani po përballet me një procedurë përjashtimi nga partia, sipas Nenit 3 të Statuteve të EPP. Kjo duhet të vendoset nga Asambleja Politike e EPP e cila do të mblidhet kur të jetë e sigurt për ta bërë këtë duke pasur parasysh situatën aktuale të pandemisë."

Partia e Orban largohet nga grupi parlamentar i Partive Popullore Europiane

Letrën që kryeministri hungarez i kishte shkruar presidentit të grupit EPP, Manfred Weber është shpërndarë në rrjetet sociale dhe nga numri 2 i partisë, Katalin Novak, pas vendimit të PPE-së që ndryshon rregulloren e saj të brendshme, që mundëson dëbimin e një partie pas një votimi me shumicë të thjeshtë, dhe jo të cilësuar si më parë.

"Ne nuk do të lejojmë që eurodeputetët tanë të heshtin ose të kufizohen në aftësinë e tyre për të përfaqësuar votuesit tanë. Trajtimi i pandemisë dhe shpëtimi i jetës mbetet prioriteti ynë numër një. Prandaj, pas miratimit të rregullave të reja në
PEPGroup, Fidesz ka vendosur të largohet nga Grupi." shkruan Novak në një postim në Twitter.

Vendimi është miratuar te mbledhja e PPE-së me një total prej 148 votash pro dhe 28 kundër.

Orban akuzohet tashmë nga pjesa më e madhe e faktorit politik europian për ato që cilësohen si kufizime të patolerueshme të lirisë së shprehjes, pavarësisë së gjyqësorit, ashtu si dhe skandale korruptive.  

Vendi do të përballet vitin e ardhshëm me zgjedhjet parlamentare, që shohin një përballje të hapur mes Fidesz dhe koalicionit opozitar, që shkon nga komunistët deri tek ultra të djathtët e Jobbik.

Me largimin e deputetëve të Fidesz, Grupi i Popullit Evropian zvogëlohet në 175 vende por mbetet forca më e madhe në sallën e Parlamentit Evropian.

Të fundit