Flash News

Bota

Pas 20 ditësh në qeli, Nicolas Sarkozy lirohet nga burgu

Pas 20 ditësh në qeli, Nicolas Sarkozy lirohet nga burgu

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy është liruar nga burgu pas vetëm 20 ditësh në qeli në pritje të apelimit të dënimit të tij për komplot për të mbledhur fonde nga Libia.

Makina e zezë me xhama të errët e 70-vjeçarit u pa duke dalë nga burgu La Sante në Paris në drejtim të shtëpisë së tij në perëndim të qytetit. Sarkozy, i cili udhëhoqi Francën nga viti 2007 deri në vitin 2012, u burgos për pesë vjet në shtator pasi u dënua për komplot për të mbledhur fonde për fushatën nga Libia.

Ai filloi dënimin e tij më 21 tetor.

Ai i kishte kërkuar një gjykate më herët të hënën të lirohej nga burgu në pritje të apelimit.
Sarkozy-t i ndalohet të largohet nga Franca dhe të jetë në kontakt me njerëz kyç, përfshirë të bashkëpandehurit dhe dëshmitarët në këtë çështje, tha gjykata.

Gjatë seancës dëgjimore të së hënës, Sarkozy, duke folur nga burgu nëpërmjet videolidhjes, argumentoi se ai gjithmonë i ka përmbushur të gjitha kërkesat e drejtësisë.
"Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të përjetoja burgun në moshën 70 vjeç. Kjo përvojë e vështirë mu imponua dhe e përjetova. Është e vështirë, shumë e vështirë", tha ai.

Një gjyq apeli pritet të zhvillohet më vonë, ndoshta në pranverë.

Sarkozi vazhdimisht e ka quajtur çështjen të motivuar politikisht.

Lirimi i tij vjen pas raportimeve se ai kishte qenë shënjestër e kërcënimeve me vdekje në burg më pak se një ditë pasi filloi dënimin pesëvjeçar për konspiracion kriminal.

Sarkozi u shpall fajtor në shtator për konspiracion kriminal mbi financimin e supozuar të paligjshëm të fushatës së tij zgjedhore presidenciale të vitit 2007 me fonde nga Libia.

Ai u bë ish-udhëheqësi i parë francez që u burgos që nga bashkëpunëtori nazist Marshall Philippe Petain pas Luftës së Dytë Botërore.

Të fundit