Flash News

Bota

Përmbytjet në Bosnje nxisin frikën për një përsëritje të fatkeqësisë së vitit 2014

Përmbytjet në Bosnje nxisin frikën për një

Përmbytjet e menjëhershme për shkak të reshjeve të dendura dhe të papritura në Bosnje dhe Hercegovinë shkaktuan evakuime dhe dëme të konsiderueshme, duke ngjallur frikën se mund të ketë një përsëritje të shkatërrimit që përfshiu një të tretën e vendit në 2014-ën.

Dhjetra njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre në periferi të Sarajevës, Otes dhe Rajlovac dhe në qytetin e Konjic. Rritja e nivelit të ujit është rezultat i reshjeve të dendura që kanë qenë të pandërprera që nga e enjtja, duke shkaktuar probleme në komunat kryesisht në afërsi të lumenjve Bosna dhe Neretva dhe degëve të tyre.

Përmbytjet shkaktuan mosfunksionim të një sërë nënstacionesh elektrike, duke lënë pa energji një pjesë të madhe të periferisë së kryeqytetit. Mediat e huaja raportojnë se lumi Miljacka, i cili rrjedh në mes të kryeqytetit boshnjak, arriti nivele të paprecedenta deri të premten.

Deri të shtunën, nivelet në rritje të lumit Bosna, i cili rrjedh në veri nga Sarajeva, bllokuan trafikun dhe shkatërruan automjetet në qytetin e Zenicës dhe qytetet Visoko, Kakanj dhe Breza.

Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në bizneset vendase dhe fermat bujqësore. Ndërkohë shkollat anuluan mësimin. Parashikimet thonë se reshjet pritet të vazhdojnë deri të dielën ose të hënën.

Nivelet e disa lumenjve kanë arritur ose tejkaluar ato të regjistruara në maj 2014, kur vendi përjetoi përmbytje shkatërruese, duke detyruar autoritetet të shpallin një gjendje të jashtëzakonshme njëjavore.

Përmbytjet e vitit 2014 shkaktuan 21 viktima, me dy persona të shpallur të zhdukur edhe sot e kësaj dite. Mijëra u detyruan të evakuoheshin, ndërsa dëmet në pronë, infrastrukturë dhe mallra bujqësore vlerësoheshin në rreth disa miliardë euro.

Të fundit