Flash News

Bota

Profil i Zelenskiy-t/ Aktori që e luajti Presidentin në film, tani në luftën e jetës reale

Profil i Zelenskiy-t/ Aktori që e luajti Presidentin në film, tani

DAVID M. HERSZENHORN/ Politico

Kur hyri në politikë në vitin 2019 si president i kohës së luftës, me konfliktin kundër separatistëve rusë që ende ziente në Ukrainën lindore, Volodymyr Zelenskiy i ofroi popullit të tij një zotim të përzemërt.

“Gjatë gjithë jetës sime, jam përpjekur të bëj gjithçka në mënyrë që ukrainasit të buzëqeshin”, tha Zelenskiy, një ish-komedian dhe aktor, në fjalimin e tij të inaugurimit. "Në pesë vitet e ardhshme, unë do të bëj gjithçka që ju, ukrainas, të mos qani."

Tani për tani, ukrainasit po bërtasin për ndihmë, dhe disa po qajnë të tmerruar - me forcat ruse që bombardojnë Kievin dhe qytetet anembanë vendit, në një fushatë ushtarake që padyshim synon të rrëzojë Zelenskiy-n dhe qeverinë e tij dhe të shkatërrojë Ukrainën si shtet i pavarur.

Me jetën qartësisht në rrezik, presidenti 44-vjeçar është shfaqur në televizion ditët e fundit i veshur me një bluzë dhe xhaketë të gjelbër ushtarake, krejtësisht i rraskapitur, duke nxitur Rusinë dhe popullin rus në gjuhën e tyre amtare, e cila është edhe e tija, për të ndaluar gjakderdhjen.

"Dilni, dilni në sheshe dhe bëni thirrje për t'i dhënë fund luftës," u tha ai të premten.

Në gjuhën ukrainase, ai ka kritikuar kryeqytetet perëndimore për mosgatishmërinë e tyre për të bërë asgjë më shumë se vendosja e sanksioneve ekonomike, madje edhe në atë rast për të mos miratuar masat më të ashpra.

“Ne po mbrojmë shtetin tonë të vetëm – ashtu si më parë, forcat më të fuqishme në botë po shikojnë nga larg”, tha ai. Në një moment tjetër, ai paralajmëroi: "Ky është fillimi i një lufte kundër Europës, kundër unitetit europian, kundër të drejtave themelore të njeriut në Europë, kundër të gjitha rregullave të bashkëjetesës në kontinent". Shtoi: “Kur raketat vrasin popullin tonë, kjo është vdekja e të gjithë europianëve”.

Duke iu drejtuar presidentit rus Vladimir Putin, i cili ka refuzuar ta takojë ballë për ballë vitet e fundit, Zelenskiy tha: "Le të ulemi në tryezën e bisedimeve, për të ndaluar vdekjen e njerëzve". Të premten mbrëma, Zelenskiy publikoi një video që e tregon atë jashtë zyrës presidenciale në Kiev për të hedhur poshtë dezinformimin rus se ai ishte larguar nga kryeqyteti.

Në nisjen e një lufte vrastare, Putini i lëshoi ​​gjithashtu disa ultimatume Zelenskiy ditët e fundit, duke kërkuar pranimin e aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014, si dhe dorëzimin e të gjithë Donbasit, rajonit lindor të Ukrainës që ishte pjesërisht i pushtuar nga separatistët pro-rusë në Republikat e vetëshpallura Popullore të Donetskut dhe Luhanskut.

Edhe nëse Zelenskiy iu nënshtrohet kërkesave të Putinit, nuk është e qartë nëse do të ishte në gjendje të shpëtonte vendin e tij. Nëse nuk e bën, nuk është e qartë se mund të shpëtojë jetën e tij.

Ai është në një pozicion torturues, të pamundur - një pozicion që edhe një lider politik më me përvojë vështirë se mund ta imagjinonte, e lëre më ta menaxhonte.

Në rastin e Zelenskiy-t, përvoja është e shkurtër për të thënë më të paktën. Kualifikimi i tij i vetëm për president ishte të luante një në një sitcom televiziv të quajtur "Shërbëtori i Popullit", i cili u bë emri i partisë së tij politike.

Por ndërsa Putini ka mbajtur fjalime të gjata e të zemëruara që vënë në dyshim legjitimitetin e Ukrainës si shtet dhe, si rrjedhojë, legjitimitetin e Zelenskiy-t si president, zgjedhja e aktorit të kthyer në politikan në shumë mënyra nënvizoi një hap të madh përpara për demokracinë ende në rritje të Ukrainës: Ai fitoi pikërisht sepse ishte i famshëm, duke mbledhur 73 për qind të votave kundër presidentit në zyrë Petro Poroshenko.

Ndërsa Poroshenko, një miliarder që e bëri pasurinë e tij me tregtinë e çokollatës, kishte shërbyer në qeveri për më shumë se 15 vjet përpara se të bëhej president, duke përfshirë mandatet si ministër i Ekonomisë dhe ministër i Jashtëm, Zelenskiy nuk kishte asnjë lidhje me sistemin politik famëkeq të korruptuar të Ukrainës përpara se të vendoste të kandidonte në 2019.

Dhe ndërsa Poroshenko kishte qenë një udhëheqës i Revolucionit Maidan të viteve 2013-2014, të cilin Putin e ka përcaktuar si grusht shteti, Zelenskiy ishte ende në biznesin e argëtimit, shpesh duke punuar në Moskë në atë kohë. Mbështetja më e fortë e Zelenskiy-it erdhi pjesërisht nga rajonet rusishtfolëse lindore dhe juglindore të Ukrainës, duke përfshirë Donbassin.

Vlerësimet e sondazheve të Zelenskiy-t kishin rënë në muajt përpara pushtimit rus, pasi Ukraina vuajti nga pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit dhe lufta në Donbass u zvarrit pa zgjidhje.

Por edhe ukrainasit që nuk e pëlqejnë presidentin janë mbledhur rreth tij në përgjigje të sulmit rus, madje edhe ata që e kritikojnë ashpër, e konsiderojnë atë si zgjedhjen e vërtetë demokratike të votuesve, të cilët në mënyrë specifike refuzuan Poroshenkon dhe politikanë të tjerë të karrierës si ish-kryeministrja Julia Tymoshenko.

Askund kjo mbështetje dhe pranim nuk është më e dukshme se në Kryvyi Rih, qyteti në zemër të rajonit të minierave të hekurit të Ukrainës, ku lindi Zelenskiy.

“Ai është një president legjitim – absolutisht”, tha Dmytro Anisimov, një punëtor 20-vjeçar në një fabrikë çeliku. Anisimov vështirë se mund të quhet një zgjedhës i kënaqur. Për shkak të ekonomisë së dobët dhe pagave të ulëta, tha ai, do të dëshironte të largohej nga Ukraina për një punë diku në BE. Dhe ai tha se Zelenskiy dhe qeveria duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur sportet publike dhe programet rekreative, të cilat vuajnë nga mungesa e financimit, objekteve dhe pajisjeve.

Lufta ka krijuar gjithashtu një ndjenjë urgjente solidariteti. "Ai ka disa mangësi," tha një grua që dha vetëm emrin Ekaterina, për Zelenskiy. "Por duke pasur parasysh se ku ndodhet vendi ynë tani, në një frikë të tillë," tha ajo “Ne duhet të bashkohemi. Unë e mbështes shumë në këtë moment. Sepse ai është lideri i kombit. Në kohë të vështira, ne duhet të mbështesim vendin tonë.”

Ekaterina po ecte në rrugë nga kompleksi i madh i apartamenteve ku Zelenskiy jetoi pjesën më të madhe të fëmijërisë. Ndërtesa, e cila ka rreth 800 apartamente, është mbiquajtur "The Anthill".

400 kilometra në jug të Kievit, afërsisht 200 kilometra në verilindje të qytetit portual Mykolayiv në Detin e Zi dhe rreth 150 kilometra në perëndim të Dnieper, Kryvyi Rih nuk e ka ndjerë ende peshën kryesore të luftës. Një bazë ushtarake që strehon një njësi tankesh u godit nga dy raketa ruse Kalibr në breshërinë fillestare të enjten në mëngjes, por raketat huqën një depo municioni dhe shkaktuan vetëm dëme minimale, sipas ushtarëve të vendosur atje.

Megjithatë, qyteti është i mbërthyer nga frika, me radhë të gjata që krijohen në pikat e karburantit dhe banomatet dhe shumë banorë që blejnë furnizime emergjente apo edhe makina në përgatitje për të ikur nga Ukraina.

Një vizitë në Kryvyi Rih zbulon gjithashtu rrënjët e thjeshta të Zelenskiy-t, nga të cilat ai u katapultua në radhët e liderëve botërorë nga kombinimi magjik i yjeve televizive dhe demokracisë.

Babai i tij, Oleksandr, ka qenë profesor i shkencave kompjuterike, i specializuar në informatikë, në Institutin Ekonomik Kryvyi Rih që nga viti 1992 dhe vitet e fundit ka shërbyer si kryetar i Departamentit të Informatikës dhe Softëare-it të Aplikuar.

Ai ka reputacionin, në mesin e studentëve, e një instruktori rigoroz dhe shpesh mund të gjendet duke drekuar në një mensë afër universitetit, ku sot një tas me borscht kushton më pak se 30 cent dhe një drekë e plotë për dy kushton 3 €. Nëna e tij punonte si inxhiniere. Familja është hebreje dhe disa nga paraardhësit e tij ishin viktima të Holokaustit.

Një vizitë në Kryvyi Rih ilustron gjithashtu se si, pavarësisht marrjes së detyrës me luftën e ndezur në Donbass, Zelenskiy ka kërkuar të japë përmirësime konkrete për qytetarët e tij – në tulla dhe asfalt me ​​një program të gjerë të infrastrukturës mbarëkombëtare që shpesh është gjëja e parë që njerëzit përmendin kur pyeteb për mendimin e tyre për të.

Rruga e shkurtër nga "Athill" te Stadiumi Metalurg, shtëpia historike e ekipit lokal të futbollit Kryvbas, është e gjitha e rrethuara me dërrasa, nga barriera ndërtimi të mbushura me tabela të mëdha që shpallin, "Ndërtimi i Madh - Programi i Presidentit të Ukrainës".

Gjerdhe të ngjashme rrethojnë gjimnazin nr. 95, të cilin Zelenskiy ndoqi; edhe ai po i nënshtrohet një rinovimi total.

Si adoleshent ai filloi të marrë pjesë në konkurset e komedisë si pjesë e diçkaje të quajtur afërsisht Klubi i Humoristëve dhe Improvizuesve. Zelenskiy dhe grupi i tij lokal i komikëve e quajtën ekipin e tyre 95 Kvartal, sipas një lagjeje në Kryvyi Rih, që tani dallohet kryesisht nga një rreth i madh trafiku dhe një restorant McDonald's.

Zelenskiy vazhdoi të luajë në filma dhe serialet televizive, duke përfshirë "Shërbëtor i Popullit", në të cilin aktroi një mësues historie të zgjedhur si president në një platformë kundër korrupsionit. Seriali u zhvillua nga 2015 deri në 2018. Dhe vitin e ardhshëm, në një rast ku arti imiton jetën, Zelenskiy vendosi të kandidonte për president dhe mundi Poroshenkon.

Zelenskiy ndër vite është akuzuar se ka qenë shumë i afërt me oligarkun Ihor Kolomoiskiy, i cili zotëron kanalin televiziv "1+1", që transmetonte "Shërbëtor i Popullit". Ai është përballur gjithashtu me akuza për fshehje të pasurisë dhe pronës, si dhe llogari bankare jashtë shtetit, të zbuluara nga hetimi i Panama Papers.

Për zhgënjimin e tij, ai gjithashtu u ngatërrua thellë në skandalin e impeachment të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pasi udhëheqësi amerikan refuzoi ndihmën ushtarake për Ukrainën në një përpjekje për t'i bërë presion qeverisë ukrainase për të hapur një hetim për djalin e Joe Biden, Hunter.

Por asnjë nga këto nuk ka shumë pasoja tani, pasi trashëgimia e Zelenskiy-t po rishkruhet nga lufta – me jetën e tij ndoshta të varur në teh.

Zelenskiy dhe gruaja e tij, Olena, kanë dy fëmijë dhe presidenti ka këmbëngulur se ai do të qëndrojë në Kiev duke udhëhequr mbrojtjen kundër Rusisë.

"Unë jam në kryeqytet," tha të premten njeriu që e quan veten Shërbëtor i Popullit. "Unë jam me njerëzit e mi."

Përkthimi: Politiko.al

Të fundit