Flash News

Bota

Protokolli i Irlandës së Veriut, Johnson “rrëzon” pretendimet për luftë tregtare me BE

Protokolli i Irlandës së Veriut, Johnson “rrëzon”

Projektligji i ardhshëm i Britanisë për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme Protokollin e Irlandës së Veriut do të sillte vetëm "ndryshime të parëndësishme", tha sot kryeministri Boris Johnson, duke hedhur poshtë shqetësimet se legjislacioni i diskutueshëm mund të sjellë një luftë tregtare me Bashkimin Evropian.

Johnson deklaroi se projektligji që qeveria e tij është planifikuar të prezantojë sot pasdite është "rruga e duhur përpara".

Drejtuesit e BE-së megjithatë kanë paralajmëruar se projektligji mund të dëmtojë thellësisht marrëdhëniet midis Brukselit dhe Londrës.

Protokolli, i cili u negociua dhe u miratua nga Brukseli dhe Londra si pjesë e “divorcit” të MB-së nga blloku, e mbajti Irlandën e Veriut brenda tregut të vetëm të BE-së për të shmangur një kufi me Republikën e Irlandës.

Kjo do të thotë që mallrat që udhëtojnë nga Britania e Madhe në Irlandën e Veriut duhet të kontrollohen, duke krijuar në mënyrë efektive një kufi de-fakto.

Qeveria konservatore e Johnson-it tani pretendon se Protokolli rrezikon Marrëveshjen e së Premtes së Mirë, e cila i dha fund dhunës sektare me dekada në ishullin e Irlandës, ndërsa unionistët në Irlandën e Veriut po refuzojnë të bashkohen me një qeveri të re të deleguar derisa shqetësimet e tyre të zbatohen.

BE megjithatë ka refuzuar të rihapë negociatat për Protokollin, duke kërkuar që çdo ndryshim të bëhet brenda kornizës së tij. Ajo ka paralajmëruar se çdo veprim tjetër i njëanshëm për të ndryshuar marrëveshjen do të shkelte ligjin ndërkombëtar.

Johnson tha se projektligji do të sjellë "ndryshime burokratike" të cilat ai i përshkroi si "relativisht të parëndësishme".

Burimi: Euronews

Të fundit