Flash News

Bota

Putin nuk do të marrë pjesë në samitin e G20-ës, Biden takim me presidentin kinez

Putin nuk do të marrë pjesë në samitin e G20-ës, Biden

Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë personalisht në samitin e G20-ës, që do të mbahet në Bali javën e ardhshme, tha ambasada ruse në Indonezi për CNN.

Putin do të përfaqësohet nga Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, tha Yulia Tomskaya, shefja e protokollit në ambasadë. Tomskaya shtoi se Putini është ende s’ka vendosur nëse ai do t'i bashkohet një prej takimeve virtualisht.

Vendimi i Putinit për të mos marrë pjesë personalisht në samitin e G20-ës e shpëton nga sikleti i përballjes, ose shmangies, nga liderët e tjerë botërorë për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Vendet perëndimore dhe Ukraina i kanë bërë presion Indonezisë, që të shtojë dënimin e saj ndaj Moskës dhe të tërheqë ftesën e saj drejtuar Putinit për samitin.

Presidenti i SHBA Joe Biden, i cili po merr pjesë në samit, tha në mars se Rusia duhet të përjashtohet nga G20. Anëtarë të lartë të administratës së tij janë larguar nga ngjarjet e G20 ku janë të pranishëm delegatë rusë.

Por Xhakarta i ka rezistuar presionit dhe ka mbajtur një pozicion neutral. Ajo ka ftuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në samit si mysafir.

Zelensky ka thënë se Ukraina nuk do të marrë pjesë në samitin e G20 nëse Putin merr pjesë. Ai pritet t'i bashkohet takimeve virtualisht.

Ndërsa udhëheqësi kinez Xi Jinping, i cili u takua me Putinin në Uzbekistan në shtator, pritet gjithashtu të marrë pjesë në samit dhe të takohet me Biden për herë të parë që kur presidenti amerikan mori detyrën gati dy vjet më parë.

Pekini nuk ka konfirmuar zyrtarisht nëse Xi do të marrë pjesë në samit apo do të takohet me Biden. Por të mërkurën, Biden tha në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve afatmesme se ai do të ketë bisedime me Xi në Bali.

Takimi i tyre i shumëpritur vjen ndërsa marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kinës kanë arritur pikën e tyre më të ulët në dekada në një spirale rënëse që filloi nën presidencën e mëparshme të Donald Trump, ndërsa të dy vendet rrisin rivalitetin e tyre në tregti, teknologji, gjeopolitikë dhe ideologji.

Burimi: CNN

Të fundit