Flash News

Bota

Refugjatët në Tunizi për marrëveshjen Rama-Meloni: Duam siguri, nuk e dimë çfarë do ndodhë me ne në Shqipëri

Refugjatët në Tunizi për marrëveshjen Rama-Meloni: Duam

Emigrantët dhe azilkërkuesit në kryeqytetin e Tunizisë reaguan mbi marrëveshjen Itali-Shqipëri për refugjatët, të cilët do të sillen në vendin tonë në dy kampe që pritet të ndërtohen në Gjadër dhe në Shëngjin.

Africa News shkruan se emigrantët të cilët strehohen aktualisht në një kamp në Tunis, shprehen se Shqipëria nuk është destinacioni i zgjedhur për ta. Ata kërkuan siguri pasi nuk e dinë se çfarë i pret pas mbërritjes në Shqipëri.

"Ne kemi nevojë për siguri sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me ne në Shqipëri. Nëse vendimi i Evropës do të na ndihmojë, ne e mbështesim atë dhe shpresojmë se ata do të na ndihmojnë sepse ne tashmë po ikim nga lufta," tha Ahmed, një refugjat sudanez.

Megjithatë, të tjerë thanë se ishin të hapur për të shkuar në Shqipëri, veçanërisht ata që ikin nga lufta ose shtypja në vendet e tyre.

Sipas marrëveshjes pesëvjeçare, Shqipëria do të strehonte deri në 3000 emigrantë të shpëtuar nga ujërat ndërkombëtare në çdo kohë.

Meqë kërkesat për azil pritet të zgjasin rreth një muaj për t'u përpunuar, numri i azilkërkuesve të dërguar në Shqipëri mund të arrijë deri në 36,000 në një vit.

Marrëveshja në fjalë është kundërshtuar nga opozita në Shqipëri dhe në Itali. Madje, edhe organizatat e të drejtave të njeriut e kanë cilësuar si ligj që shkel lirinë e emigrantëve. 

Kuvendi miratoi dje marrëveshjen me votat e mazhorancës dhe tre deputetëve të PDIU-së.

Të fundit