Flash News

Bota

Rekord historik: Sekuestrohen 9.5 ton kokainë në një ngarkesë banane në Republikën Domenikane

Rekord historik: Sekuestrohen 9.5 ton kokainë në një

Autoritetet në Republikën Domenikane kanë sekuestruar 9.5 ton kokainë në një ngarkesë banane, duke shënuar kapjen më të madhe të drogës në historinë e vendit. Droga, me vlerë rreth 250 milionë dollarë, u zbulua në portin kryesor detar të vendit, Caucedo, në kryeqytetin Santo Domingo.


Ngarkesa kishte mbërritur nga Guatemala dhe kishte si destinacion Belgjikën. Dhjetë persona të dyshuar janë arrestuar nga autoritetet, të cilat raportuan se kokaina po tentohej të transferohej nga një kontejner në tjetrin për të vazhduar udhëtimin drejt Evropës.


“Hetimet fillestare tregojnë se një kontejner me banane mbërriti nga Guatemala dhe individë të panjohur u përpoqën të zhvendosnin drogën në një anije me destinacion Belgjikën,” thuhet në një deklaratë zyrtare.


Deri më tani, autoritetet domenikane kanë konfiskuar rreth 47 ton drogë gjatë vitit 2024. Sipas një analize të InSight Crime, Karaibet po rikthehen si një rrugë kyçe për trafikimin e kokainës nga Kolumbia në Evropë, ku konsumi i saj është më shumë se dyfishuar që nga viti 2011.


“Kërkesa në rritje ka bërë që trafikantët të shfrytëzojnë më shumë Karaibet, duke përfituar nga infrastruktura e zhvilluar e porteve në Republikën Domenikane,” thuhet në raportin e fundit të InSight Crime.

Të fundit