Flash News

Bota

SHBA bën thirrje për një kthim ‘të pashmangshëm’ në bisedimet bërthamore me Iranin

SHBA bën thirrje për një kthim ‘të

Administrata e Biden ka bërë thirrje për një kthim "të afërt" të bisedimeve në Vjenë për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit, por tha se rinisja e negociatave "varet nga iranianët".

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price u tha gazetarëve se Uashingtoni është i gatshëm të vazhdojë bisedimet sapo Teherani të pranojë të ri-angazhohet në negociata, duke theksuar se rruga drejt diplomacisë është ende e hapur.

Negociatat kanë qenë të ngrira që nga qershori, menjëherë pas zgjedhjes së presidentit konservator të Iranit, Ebrahim Raisi.

"Ne e kemi bërë shumë të qartë se jemi të përgatitur, të gatshëm dhe të aftë të kthehemi në Vjenë sapo të kemi një partner për të negociuar", tha Price.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja në 2018 si pjesë e fushatës së tij të presionit maksimal kundër Iranit, i cili në përgjigje ka pasuruar uraniumin përtej kufijve të përcaktuar nga pakti.

Presidenti Joe Biden ka thënë se po kërkon një kthim në marrëveshjen e vitit 2015, të negociuar nga administrata Obama në të cilën ai shërbeu si zëvendëspresident.

Price tha se administrata e Biden shpreson të fillojë negociatat atje ku ata u ndalën, duke sugjeruar që Uashingtoni kundërshton rifillimin e bisedimeve nga e para me qeverinë e re në Teheran.

Burimi: Al Jazzera

Të fundit