Flash News

Bota

SHBA porosit 10 milionë pilula anti-Covid, Joe Biden jep detaje

SHBA porosit 10 milionë pilula anti-Covid, Joe Biden jep detaje

Presidenti Joe Biden njoftoi dje se Shtetet e Bashkuara ka blerë 10 milionë pilula të trajtimit Covid-19 të prodhuara nga Pfizer. Marrëveshja që ai e cilësoi si "kritike" për të luftuar pandeminë kap vlerën e 5.3 miliardë dollarëve.

Pfizer aplikoi këtë javë për autorizimin e përdorimit të pilulës së saj antivirale Paxlovid, e cila u tregua shumë efektive në parandalimin e shtrimit në spital dhe vdekjes midis pacientëve me rrezik të lartë, raportojnë mediat e huaja.

Ndërsa marrëveshja varet nga miratimi i Administratës së Ushqimit dhe Barnave, Biden tha se ai kishte marrë "hapa të menjëhershëm për të siguruar furnizim të mjaftueshëm për popullin amerikan".

“Sot, po njoftoj se kemi blerë 10 milionë pilula Pfizer antivirale, me dorëzim që fillon në fund të këtij viti dhe përgjatë vitit 2022”, tha ai në një deklaratë, duke shtuar se trajtimet do të jenë "lehtësisht i aksesueshëm dhe falas".

Ndërsa theksoi se vaksinat e disponueshme gjerësisht mbeten "mjeti më i fortë" i Amerikës në luftën kundër Covid-19, Biden tha se "trajtimi antiviral mund të rezultojë të jetë një mjet tjetër kritik në arsenalin që do të përshpejtojë rrugën tonë për të dalë nga pandemia".

Në mesin e pacientëve me rrezik të lartë të sapoinfektuar të trajtuar brenda tre ditëve nga fillimi i simptomave, pilula e Pfizer-it ka treguar se zvogëlon shtrimin në spital ose vdekjen me gati 90 për qind.

Qeveria amerikane njoftoi në qershor se po investonte 3 miliardë dollarë për të përshpejtuar zbulimin, zhvillimin dhe prodhimin e ilaçeve antivirale.

Shtetet e Bashkuara po blejnë gjithashtu 3.1 milionë kurse të një pilule antivirale të zhvilluar nga Merck, të quajtur Molnupiravir, e cila po pret një dritë jeshile nga FDA.

Pilulat janë më të lehta për t'u bërë sesa vaksinat, nuk kërkojnë një zinxhir të ftohtë për shpërndarje dhe mund të administrohen vetë nga pacienti.

Pfizer ka lidhur marrëveshje blerjeje paraprake për pilulën e saj antivirale me disa vende të tjera dhe ka iniciuar kontakte dypalëshe me afërsisht 100 vende anembanë botës, duke e deklaruar veten të angazhuar për të punuar në "qasje të barabartë" për trajtimin me një çmim të përballueshëm.

Të fundit