Flash News

Bota

Shkatërrohet rrjeti i trafikut të drogës në Novara, shqiptari në krye të organizatës kriminale

Shkatërrohet rrjeti i trafikut të drogës në Novara,

Policia italiane ka zhvilluar një operacion të gjerë antidrogë në Novara, duke çmontuar një rrjet të organizuar kriminal që operonte në shpërndarjen e kokainës.

Operacioni, i nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka çuar në ekzekutimin e gjashtë masave paraprake, përfshirë tre arrestime në burg dhe ndalime të tjera për të dyshuarit e përfshirë.

Gjatë hetimeve, të cilat nisën në gusht të vitit 2023, janë realizuar gjithashtu pesë arrestime në flagrancë dhe janë sekuestruar mbi 3 kilogramë kokainë.

Hetimi u shtri mbi një rrjet kriminal me strukturë piramidale dhe metoda profesionale veprimi, duke nxjerrë në pah një aktivitet të sofistikuar trafikimi që siguronte fitime të mëdha financiare.

Në krye të organizatës qëndronte shtetasi shqiptar D.H., 50 vjeç, i cili koordinonte shpërndarjen e drogës dhe kishte nën urdhra një ekip shpërndarësish, përfshirë edhe persona me origjinë të ndryshme. Droga merrej nga një tjetër shtetas shqiptar, N.I., 43 vjeç, banues në provincën e Novarës, i cili dorëzonte rregullisht 2 kilogramë kokainë çdo muaj për rrjetin kriminal.

Roli i shpërndarësve, mes të cilëve P.D. (24 vjeç), G.E. (22 vjeç), dhe të tjerë, ishte shpërndarja e dozave për blerësit, ndërsa ata merrnin një pagë mujore prej rreth 5000 euro.

Çdo mëngjes, D.H. takohej me korrierët në parkingjet e qendrave tregtare, ku furnizonte me kokainë për shpërndarje gjatë ditës. Dozat prej 0.40 gramësh shiteshin me çmimin 40 euro, duke siguruar një fitim të përditshëm prej rreth 6000 euro për grupin kriminal.

Veprimet e grupit ishin të organizuara në mënyrë të tillë që të shmangnin hetimet, duke përdorur metoda të avancuara për t’u fshehur nga autoritetet. Megjithatë, pas monitorimeve të gjata dhe dëshmive të siguruara, autoritetet italiane arritën të ndalojnë veprimtarinë e tyre kriminale.

Hetimet vazhdojnë për të identifikuar të tjerë të përfshirë dhe për të konsoliduar provat kundër drejtuesve të këtij rrjeti trafikimi.

Të fundit