Flash News

Bota

Shkuan nga Bjellorusia, Gjermania regjistron mbi 5,000 emigrantë të paligjshëm vetëm në një muaj

Shkuan nga Bjellorusia, Gjermania regjistron mbi 5,000 emigrantë të

Policia gjermane thotë se ka regjistruar më shumë se 5,000 kalime të paautorizuara kufitare muajin e kaluar nga njerëz që kishin ardhur nga Bjellorusia.

“Policia Federale regjistroi 5,285 hyrje të paautorizuara me lidhje me Bjellorusinë vetëm për muajin tetor”, thuhet në një deklaratë.

Autoritetet gjermane kishin regjistruar vetëm 1,903 mbërritje në shtator. Policia tha se vetëm fundjavën e kaluar, 597 persona që hynë ilegalisht nga Bjellorusia u gjetën në anën gjermane të kufirit me Poloninë, raportojnë mediat e huaja.

Prej tyre, 391 ishin shtetas irakianë, ndërsa pjesa tjetër ishin nga Siria, Irani dhe Afganistani, dhe shumica kishin viza bjelloruse ose vula hyrjeje në pasaportat e tyre.

Anëtarët e tjerë të Bashkimit Evropian, Polonia dhe Lituania, kanë luftuar për të përballuar një numër jashtëzakonisht të lartë emigrantësh që mbërrijnë në kufijtë e tyre me Bjellorusinë në muajt e fundit.

BE-ja ka akuzuar qeverinë e presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko për përdorimin e qëllimshëm të emigrantëve për të destabilizuar bllokun 27-vendesh si hakmarrje për sanksionet e BE-së.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë në largim propozoi së fundmi futjen e patrullave të përbashkëta gjermano-polake në kufirin e dy vendeve për të ndihmuar në ndalimin e kalimeve të paligjshme nga emigrantët që mbërrijnë nga Bjellorusia.

Të fundit