Flash News

Bota

Shpyllëzimi në Amazonë arrin nivelin më të lartë të 15 viteve të fundit

Shpyllëzimi në Amazonë arrin nivelin më të lartë

Shpyllëzimi në pyjet tropikale të Amazonës në Brazil ka arritur nivelin më të lartë në më shumë se 15 vjet, raporton BBC. Një raport i agjencisë braziliane të kërkimit hapësinor (Inpe) konstatoi se shpyllëzimi u rrit me 22% në një vit.

Brazili ishte në mesin e një numri shtetesh që premtuan t'i jepnin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030 gjatë samitit të klimës COP26. Amazona është shtëpia e rreth tre milionë llojeve të bimëve dhe kafshëve, dhe një milion indigjenëve.

Sipas të dhënave të fundit, rreth 13,235 km katrorë u humbën gjatë periudhës 2020-2021, sasia më e lartë që nga viti 2006. Ministri i Mjedisit Joaquim Leite tha se të dhënat përfaqësojnë një "sfidë" dhe tha "ne duhet të jemi më të fortë në lidhje me këto krime".

Ai shtoi se të dhënat “nuk pasqyrojnë saktësisht situatën në muajt e fundit”. Shpyllëzimi i Amazonës është rritur nën drejtimin e presidentit Jair Bolsonaro. i cili ka inkurajuar aktivitetet bujqësore dhe minerare në pyjet e shiut.

Vetëm këtë javë, Jair Bolsonaro, në turne në Dubai, u tha investitorëve se sulmet ndaj Brazilit për shpyllëzimin ishin 'të padrejta'. “Ne duam që njerëzit të njohin Brazilin e vërtetë”, tha ai, duke shtuar se 90% e pyllit ruhet ende.

Të fundit