Flash News

E-TJERA

Shqiptarët racionalë me veshjet, shpenzimet thuajse në vendnumëro në dekadën e fundit

Shqiptarët racionalë me veshjet, shpenzimet thuajse në

Kur vjen puna te veshjet, shqiptarët janë treguar racionalë me shpenzimet, sidomos në dekadën e fundit. Në krahasim me 12 grupet e artikujve kryesorë të konsumit, shpenzimet për veshje kishin rritjen më të ulët në vlerë (pa efektin e inflacionit) gjatë tri dekadave të fundit (1995-2023), sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Në vitin 1995 të gjitha familjet shqiptare shpenzuan 11,2 miliardë lekë për veshje në vit, ndërsa në 2023 mbi 43 miliardë lekë. Pa efektin e inflacionit shpenzimet e familjeve për veshje u rritën me 285% në 26 vite, ritmi më i ulët në krahasim me 11 grupet e tjera të konsumit.

Të dhënat historike tregojnë se shpenzimet për veshje shënuan një rritje domethënëse në vitet 2007-2008 dhe pastaj qëndruan në vendnumëro gjatë gjithë dekadës nëse llogaritet edhe efekti i inflacionit. Në shpenzimet për veshje ka ndikuar edhe ndryshimi demografik. Rënia e popullsisë së re në moshë dhe kryesisht fëmijëve që konsumojnë shumë veshje ka ndikuar negativisht në shpenzimet për këtë grup. Nga ana tjetër, grupi në rritje i popullsisë në moshë pensioni konsumon më shumë medikamente dhe më pak veshje.

Me inflacionin e lartë të dy viteve të fundit ka një zhvendosje të blerjeve të konsumatorëve shqiptarë, të cilët kanë frenuar blerjen e veshjeve të reja, duke u zhvendosur tek të përdorurat. Të dhënat nga tregtia e jashtme tregojnë se në 2024, importet e tekstilit dhe këpucëve në vlerë shënuan rënie me 8.6% dhe nga ana tjetër, importet e veshjeve të përdorura shënuan rritje me 4.7%.

Rënia e importeve të veshjeve dhe këpucëve vijoi për të dytin vit radhazi, pasi edhe më 2023 ishin 4,2% më të ulëta se më 2022. Nga ana tjetër, tregu i veshjeve të përdorura po rritet nga viti në vit. Vlera në import kaloi 38 milionë eurot në 2024 me rritje vjetore 4.7%.

Barometri i Ballkanit, një anketë nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal që mat perceptimin e qytetareve për të situatën ekonomike, gjeti se më 2024 shqetësimi më i madh i shqiptarëve ishte inflacioni i lartë. Pas luftës në Ukrainë, çmimet e shportës në Shqipëri u rritën me ritme dyshifrore. Njësoj si në Europë qytetarët shkurtuan shpenzimet për veshje dhe këpucë./ Monitor

Të fundit