Flash News

Bota

Shqiptaro-amerikani ‘trashëgon fenomenin e zakontë’, nën hetim për vjedhje votash në SHBA

Shqiptaro-amerikani ‘trashëgon fenomenin e zakontë’,

Shqipëria është përfolur vazhdimisht për çështjen e manipulimit të votave, proceset zgjedhore jo transparente, shfrytëzimin e posteve administrative për të siguruar vota, ku partia në pushtet gjithmonë ia ka atribuuar "fajin" partisë kundërshtare, si një formë për të minuar fushatën zgjedhore.

E mesa duket “mallkimi” ka ndodhur edhe në New York të SHBA-së, ku një shqiptaro-amerikan, Marko Kepi kandidat për vendin e 50-të pranë Këshillit Bashkiak, akuzohet për manipulim të votuesve dhe mashtrim gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas mediave të huaja, Kepi është nën hetim pasi dyshohet se ka drejtuar një fushatë të paligjshme dhe katër bashkëpunëtorë të tij në fushatë kanë dorëzuar 1,050 fletëvotimi, të cilat dyshohet se kanë parregullsi dhe mbajnë emra të personave të pajetë.

Ndërkohë Kepi ka hedhur poshtë të gjitha akuzat duke deklaruar se fushata e tij zgjedhore siguroi vota të vlefshme dhe se rivali i tij u përpoq të pengojë fushatën zgjedhore.

"Ndihem sikur jam kthyer në Shqipërinë Komuniste”, u shpreh Kepi, "ata gjetën çdo boshllëk, çdo mënyrë të mundshme për të skualifikuar votuesit. Unë bëra fushatë kundër kandidatit të partisë dhe partia humbi dhe tani partia nuk dëshiron të heqë dorë. Pra, ata po bëjnë gjithçka që munden për të na ndaluar të pretendojmë fitoren tonë."

Kepi drejton gishtin mbi rivalin e tij për të hedhur poshtë dyshimet që i rëndojnë për manipulimin e votave dhe fushatës elektorale, një taktikë kjo e ngjashme me atë të politikanëve shqiptarë.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë OSBE/ODIHR, publikoi raportin përfundimtar të zgjedhjeve të 25 Prillit duke renditur disa nga problematikat kyçe që penguan transparencën e votimeve.

Sipas raportit, zgjedhjet e zhvilluara ishin të mirëorganizuara, por pavarësisht përpjekjes për të ndaluar keqpërdorimin e burimeve administrative dhe postit drejtues, nxitja dhe presioni mbi nëpunësit civil ishin në nivele shqetësuese. Kjo i dha partisë në pushtet avantazh gjatë fushatës zgjedhore.

Shqetësuese vijon të mbetet blerja e votave nga partitë politike, si dhe dalja e të dhënave personale të 900,000 votuesve shqiptarë, përfshirë këtu edhe preferencat e tyre politike, të cilat i bënë votuesit të ndjeheshin nën presion.

Të fundit