Flash News

Bota

Shtetet mbyllin kufijtë pas identifikimit të Omicron, presidenti i Afrikës së Jugut bën thirrje për heqjen e kufizimeve

Shtetet mbyllin kufijtë pas identifikimit të Omicron, presidenti i

Presidenti i Afrikës së Jugut ka dënuar vendimin që kanë marrë shumë shtete, të cilat kanë mbyllur kufijtë, pasi u identifikua për herë të parë varianti i ri i koronavirusit, Omicron.

Cyril Ramaphosa tha se ishte "thellësisht i zhgënjyer" nga veprimi, të cilin ai e përshkroi si të pajustifikuar dhe bëri thirrje që ndalimet të hiqen urgjentisht, raporton BBC. Mbretëria e Bashkuar, BE dhe SHBA janë ndër ata që kanë vendosur ndalime të udhëtimit.

Omicron është klasifikuar si një "variant i shqetësimit". Dëshmitë e hershme sugjerojnë se ka një rrezik më të lartë të ri-infeksionit. Varianti u zbulua në Afrikën e Jugut në fillim të këtij muaji dhe më pas u raportua në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të mërkurën e kaluar.

Varianti është përgjegjës për shumicën e infeksioneve të gjetura në provincën më të populluar të Afrikës së Jugut, Gauteng, gjatë dy javëve të fundit, dhe tani është i pranishëm në të gjitha provincat e tjera të vendit.

Të hënën, Japonia u bë vendi i fundit që rivendosi kufizimet e ashpra kufitare, duke ndaluar të gjithë të huajt të hyjnë në vend nga 30 nëntori.

OBSH ka paralajmëruar kundër vendeve që vendosin me nxitim kufizimet e udhëtimit, duke thënë se ata duhet të shikojnë në një "qasje të bazuar në rrezik dhe shkencore". Megjithatë, ndalime të shumta janë futur ditët e fundit mes shqetësimeve për variantin.

Omicron tani është zbuluar në një numër vendesh anembanë botës, duke përfshirë MB, Gjermani, Australi dhe Izrael.

 

Të fundit