Flash News

Bota

Të shtënat në Uashington, liderët botërorë reagojnë me tone të forta: Dhuna nuk ka vend në demokraci

Të shtënat në Uashington, liderët botërorë

Reagime të menjëhershme ndërkombëtare kanë pasuar incidentin me të shtëna me armë zjarri në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku ndodhej edhe presidenti amerikan Donald Trump.

Autoritetet konfirmuan se presidenti dhe të pranishmit janë të sigurt, ndërsa një efektiv policie mbeti i plagosur.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi ngjarjen tronditëse. “Unë dhe bashkëshortja ime u tronditëm nga tentativa e vrasjes së Presidentit Donald Trump mbrëmë në Uashington. Jemi të lehtësuar që Presidenti dhe Zonja e Parë janë të sigurt dhe të fortë. I dërgojmë urimet tona për shërim të shpejtë oficerit të plagosur dhe përshëndesim reagimin e vendosur të Shërbimit Sekret”, deklaroi kryeministri izraelit.

Nga Amerika Latine, presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum theksoi se “dhuna nuk duhet të jetë kurrë zgjidhja”. Ndërsa zyrtarja e lartë venezueliane Delcy Rodríguez dënoi “përpjekjen për agresion kundër Presidentit Donald Trump dhe gruas së tij, Melania.”

Kryeministri i Kanadasë Mark Carney po ashtu dënoi dhunën politike teksa tha se “nuk ka vend në asnjë demokraci dhe mendimet e mia janë me të gjithë ata që janë tronditur nga kjo ngjarje shqetësuese.”

Kryeministri i Indisë Narendra Modi u shpreh: “Jam i lehtësuar që Presidenti amerikan dhe zyrtarët e tjerë janë të sigurt. Dhuna nuk ka vend në një demokraci dhe duhet dënuar pa asnjë ekuivok.”

Edhe nga Europa erdhën reagime të forta. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni theksoi se “asnjë urrejtje politike nuk mund të gjejë vend në demokracitë tona.” “Ekstremizmi dhe fanatizmi rrezikojnë hapësirën e debatit të lirë”, shtoi ajo.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez deklaroi se “dhuna nuk është kurrë rruga e duhur”. Ai e vendosi theksin te mbrojtja e demokracisë, bashkëjetesës dhe paqes.

Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi ngjarjen “të papranueshme”, duke shtuar se shpreh mbështetje të plotë për presidentin amerikan.

 

Të fundit