Flash News

Bota

Tension në Hormuz, Irani merr nën kontroll dy anije mallrash

Tension në Hormuz, Irani merr nën kontroll dy anije mallrash

Marina iraniane ka njoftuar sekuestrimin e dy anijeve mallrash në Ngushticën e Hormuzit, të cilat janë shoqëruar drejt brigjeve të Iranit, pas raportimeve se tre mjete detare janë qëlluar nga forcat iraniane.

Sipas agjencisë Nour News, e lidhur me Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Garda Revolucionare Islamike (IRGC) ka hapur zjarr ndaj anijes “Epaminodes”, pasi kjo e fundit nuk iu është bindur paralajmërimeve të forcave iraniane.

Një anije e dytë, “Euphoria”, është ndaluar pas të shtënave, ndërsa më pas është shënjestruar edhe anija “MSC-Francesca”, raportoi BBC Verify.

Agjencia iraniane Fars News bëri të ditur se operacioni është kryer nga Garda Revolucionare. Ndërkohë, Komanda Detare e IRGC-së deklaroi se dy anijet e sekuestruara, “Epaminodes” dhe “MSC-Francesca”, kishin operuar pa lejet e nevojshme dhe kishin ndërhyrë në sistemet e navigimit, duke rrezikuar sigurinë detare.

Në deklaratë theksohet se “çrregullimi i rendit dhe sigurisë në Ngushticën e Hormuzit është vijë e kuqe”, ndërsa shtohet se anijet do t’i nënshtrohen kontrollit të ngarkesës dhe dokumenteve. Autoritetet iraniane paralajmëruan gjithashtu se po monitorojnë lëvizjet në zonë dhe do të ndërmarrin masa ndaj shkeljeve.

Të fundit