Flash News

Bota

Traktati SHBA-Rusi për armët bërthamore drejt skadimit: Çfarë ndodh më pas?

Traktati SHBA-Rusi për armët bërthamore drejt skadimit:

Më 5 shkurt skadon një traktat që kufizon numrin e kokave të dislokuara bërthamore nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, duke bërë që për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli që programet bërthamore të Kremlinit dhe Uashingtonit të jenë të pakufizuara nga limitet numerike.

Moska e kishte “pezulluar” traktatin New START më 2023 si përgjigje ndaj mbështetjes ushtarake të SHBA-së për Ukrainën. Uashingtoni u përgjigj në të njëjtën mënyrë, duke e bllokuar praktikisht marrëveshjen e armëve, megjithëse ajo zyrtarisht mbeti në fuqi.

Në shtator, presidenti rus, Vladimir Putin, sugjeroi se do të respektonte termet kyç të traktatit – që përfshin kufizimin deri në 1.550 koka bërthamore, të gatshme për sulm, për secilin vend – edhe për një vit tjetër. Presidenti amerikan, Donald Trump, u përgjigj pozitivisht ndaj kësaj qasjeje të Kremlinit, duke u thënë gazetarëve se i dukej “një ide e mirë”, por përpjekjet e fundit të Moskës për formalizmin e marrëveshjes janë përballur me heshtje. Departamenti amerikan i Shtetit refuzoi të komentojë mbi statusin e paktit bërthamor, duke ridrejtuar pyetjet e Radios Evropa e Lirë te Shtëpia e Bardhë.

Pavel Podvig, hulumtues i lartë në Institutin e Kombeve të Bashkuara për Kërkime mbi Çarmatimin (UNIDIR), i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka tregues që do të ketë një zgjatje në çastin e fundit të termave kyç të traktatit. Eksperti i armëve bërthamore tha se beson se një shkallë e përhapjes bërthamore është shumë e mundshme në një të ardhme të afërt.

“Mendoj se ajo që do të ndodhë është që SHBA-ja do të lëvizë për të rritur numrin e kokave të dislokuara bërthamore”, tha Podvig, duke shtuar se një rritje e tillë, të paktën në terma afatshkurtër, mund të realizohet relativisht lehtë, duke vendosur koka shtesë bërthamore në armët ekzistuese, sikurse është Minuteman III./ REL

Të fundit