Flash News

Bota

Trazirat në Kazakistan, mbi 5 mijë të arrestuar, qindra biznese të shkatërruara

Trazirat në Kazakistan, mbi 5 mijë të arrestuar, qindra biznese

Më shumë se 5,000 njerëz janë arrestuar në Kazakistan lidhur me trazirat që kanë tronditur vendin më të madh të Azisë Qendrore javën e fundit, u cituan të kenë thënë autoritetet kazake të dielën.

Në total, 5,135 persona janë arrestuar për t'u marrë në pyetje si pjesë e mbi 100 hetimeve të veçanta që lidhen me trazirat, sipas ministrisë së brendshme të këtij shteti.

Kazakistani, një vend i pasur me energji dhe me rreth 19 milionë banorë është tronditur javën e kaluar nga trazirat që u përhapën në qytete të ndryshme të vendit e ku u vranë dhjetëra persona duke përfshirë civil dhe forca të rendit.

Rritjet e çmimit të karburantit shkaktuan trazira një javë më parë në zonat provinciale perëndimore, por ato arritën shpejt në qytetet më të mëdha, duke përfshirë qendrën ekonomike Almaty, ku shpërthyen trazirat dhe policia hapi zjarr duke përdorur plumba drejt protestueseve.

Dëmet e trazirave

Ministria e Brendshme e Kazakistanit, e cituar të dielën nga media lokale, tha se vlerësimet fillestare tregojnë se dëmi i shkaktuar ndaj pronës shtetërore dhe private është rreth 175 milionë euro.

Më shumë se 100 biznese dhe banka u sulmuan dhe plaçkitën dhe më shumë se 400 automjete u shkatërruan, citohet të ketë thënë ministria e Brendshme e Kazakistanit.

"Sot situata është stabilizuar në të gjitha rajonet e vendit," tha Ministri i Brendshëm Erlan Turgumbayev, duke shtuar megjithatë se "operacioni kundër terrorizmit po vazhdon në një përpjekje për të rivendosur rendin në vend".

Një qetësi relative u duk se po kthehej në Almaty, me policinë që ndonjëherë qëllonte në ajër për të ndaluar njerëzit që i afroheshin sheshit qendror të qytetit, raporton AFP./ REL

Të fundit