Flash News

Bota

Trump deklarohet i pafajshëm ndaj 37 akuzave për mbajtje të qëllimtë të dokumenteve sekrete

Trump deklarohet i pafajshëm ndaj 37 akuzave për mbajtje të

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump deklaroi të martën se ishte i pafajshëm ndaj akuzave federale për mbajtje të paautorizuar të dokumentave sekrete të sigurisë kombëtare pas largimit nga detyra dhe i gënjeu zyrtarët që kërkuan rikthimin e tyre.

Deklarimi i zotit Trump para gjykatësit Jonothan Goodman në gjykatën federale të Majamit, shënon fillimin e një beteje ligjore që ka gjasa të vazhdojë gjatë muajve të ardhshëm ndërsa ish-presidenti vazhdon fushatën për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e 24 nëntorit të vitit 2024. Ekspertët parashikojnë se mund të duhet një vit ose më shumë para se të zhvillohet gjyqi.

Gjykata nuk i vuri kushte financiare apo kufizime udhëtimi zotit Trump. Gjykatësi Goodman vendosi që zoti Trump nuk lejohej të komunikonte me dëshmitarët e mundshëm për këtë rast.

Ish-ndihmësi i zotit Trump, Walt Nauta, gjithashtu i akuzuar në këtë çështje, u paraqit në gjykatë së bashku me zotin Trump, por nuk do të deklarohet rreth akuzave deri më 27 qershor, sepse ai nuk ka një avokat vendas. Ai gjithashtu u lirua pa pasur nevojë për garanci financiare dhe u urdhërua që të mos fliste me deshmitarët e tjerë.

Avokati i zotit Trump tha se klienti i tij deklaron se ishte i pafajshëm. Gjykata nuk i vuri kushte financiare apo udhëtimi me mirëkuptimin për t’u paraqitur në gjykatë në të ardhmen.

Gjatë seancës 50-minutëshe në fytyrën e tij u vunë re disa herë ndjenja zemërimi, por nuk pati shprehi të tjera. Ai mblodhi krahët, ndërsa mbante në dorë një stilolaps dhe kryqëzonte gishtat e dorës ndërsa dëgjonte.

Përpara se të fillonte seanca ai u pëshpëriti diçka në vesh avokatëve të tij, por nuk foli fare gjatë procedurës. Ai qëndroi pa lëvizur në karrige ndërsa avokati i tij u ngrit në këmbë dhe foli në emër të klientit.

Padyshim, ne deklarojmë pafajsinë”, i tha avokati gjykatësit.

Avoakti Blanche e kundërshtoi vendimin e gjykatësit për ndalimin e ish-presidentit që të fliste me dëshmitarët, përfshirë ish-ndihmësin e tij, gjithashtu të akuzuar, Walt Nauta, duke thënë se ata punojnë për zotin Trump dhe ai duhet të jetë në gjendje të komunikojë me ta.

Pas disa ecejakjesh, gjykatësi Jonathan Goodman tha se zoti Trump nuk mund të flasë me ta për çështjen përveçse nëpërmjet avokatëve të tij, por ai mund të flasë me ta për punën.

Ndryshe nga akuza ndaj zotit Trump në Nju Jork, në gjykatën federale në Majami nuk u lejuan kamerat.

Pas seancës, zoti Trump shkon në klubin e tij të golfit në Bedminster, Nju Xhersi, ku do të mbajë një fjalim dhe do zhvillojë një darkë për mbledhje fondesh.

Përpara se të nisej për në aeroport, autokolona e zotit Trump ndaloi në restorantin “Versailles” në lagjen “Little Havana” të Majamit, ku një turmë e vogël mbështetësish e priste atë. Pasi bëri foto me të pranishmit, zoti Trump komentoi shkurt për çështjen.

“Mendoj se po shkon mirë”, tha ai. “Ne kemi një vend të manipuluar. Kemi një vend të korruptuar”. Disa udhëheqës fetarë u lutën për të në restorant.

Mbështetësit brohoritën "Ne e duam Trumpin" ndërsa autokolona e tij u largua nga gjykata në orën 15:55, afërsisht dy orë pas mbërritjes. Zoti Trump është ish-presidenti i parë që akuzohet për krime federale.

Autoritetet federale kishin rritur masat e sigurisë përreth ndërtesës dhe zyrtarët e Majamit thanë se janë të përgatitur për të parandaluar dhunën e mundshme nga mbështetësit e zotit Trump dhe kundër-protestuesit.

“Në qytetin tonë, ne sigurisht që besojmë tek Kushtetuta dhe se njerëzit duhet të kenë të drejtën të shprehen”, tha gjatë një konference për shtyp të hënën Kryetari i Bashkisë së Majamit, Francis Suarez. “Por, ne gjithashtu besojmë tek ligji dhe rendi. Dhe e dimë, dhe shpresojmë, se e nesërmja do të jetë paqësore”.

Ngritja e akuzave zyrtarisht ndaj ish-presidentit, vjen pesë ditë pasi juria e madhe federale në Majami miratoi 37 akuza penale ndaj tij, 31 prej të cilave e akuzojnë ish presidentin për “mbajtje të qëllimshme” të dokumenteve të klasifikuara të sigurisë kombëtare, në shkelje të Ligjit të Spiunazhit./ VOA

Të fundit