Flash News

Bota

Trump 'ndëshkon' Brazilin me tarifa 50% dhe sanksione ndaj gjyqtarit për rastin Bolsonaro

Trump 'ndëshkon' Brazilin me tarifa 50% dhe sanksione ndaj

Zyrtarët amerikanë thanë të mërkurën se do të vendosin sanksione ndaj gjyqtarit të Gjykatës Supreme braziliane Alexandre de Moraes, duke e akuzuar atë për autorizimin e "paraburgimeve arbitrare para gjyqit" dhe shtypjen e "lirisë së shprehjes".

Gjyqtari Moraes ka udhëhequr hetimin mbi akuzat se ish-presidenti i krahut të djathtë i Brazilit, Jair Bolsonaro, dhe aleatët e tij komplotuan një grusht shteti pasi ai humbi zgjedhjet e vitit 2022, shkruan BBC

Bolsonaro i ka mohuar këto akuza dhe e ka quajtur gjyqtarin Moraes një "diktator".

Menjëherë pasi u njoftuan sanksionet, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që rriti tarifat ndaj Brazilit në 50%.

Trump kishte kërcënuar të vendoste tarifat e larta në fillim të këtij muaji në një letër që ndau në mediat sociale drejtuar presidentit aktual të Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva.

Trump akuzoi Brazilin për "sulme" ndaj kompanive të teknologjisë amerikane dhe për kryerjen e një "gjueti shtrigash" kundër Bolsonaros.

Urdhri ekzekutiv mbi tarifat përjashton disa nga eksportet kryesore të Brazilit nga taksat e larta, duke përfshirë lëngun e portokallit, disa pjesë avionësh dhe produkte energjie.

Urdhri gjithashtu i lidh tarifat drejtpërdrejt me "persekutimin, frikësimin, ngacmimin, censurën dhe ndjekjen penale të motivuar politikisht" nga Brazili ndaj Bolsonaros.

Brazili ka kërcënuar të barazojë çdo tarifë të vendosur nga SHBA-të.

SHBA-të janë partneri i dytë më i madh tregtar i Brazilit pas Kinës, kështu që rritja do ta godiste rëndë kombin e Amerikës së Jugut.

Brazili është partneri i 15-të më i madh tregtar i SHBA-së dhe ndër importet e tij kryesore nga SHBA-të janë lëndët djegëse minerale, avionët dhe makineritë.

Nga ana e saj, SHBA-të importojnë gaz dhe naftë, hekur dhe kafe nga Brazili.

Të fundit