Flash News

Bota

Tufa me bletë sulmon qytetarët në Francë, përfundojnë në spital 24 persona

Tufa me bletë sulmon qytetarët në Francë,

Një incident ka ndodhur në qytetin Aurillac të Francës, ku një sulm masiv bletësh ka rezultuar në 24 persona të lënduar, tre prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike.

Sipas prefekturës së Cantal, sulmi zgjati rreth 30 minuta të dielën në mëngjes, ku kalimtarë të shumtë janë thumbuar vazhdimisht nga bletët.

Ekipet e zjarrfikësve dhe ndihma e shpejtë ndërhynë për të dhënë ndihmën e parë, ndërsa policia vendosi perimetër sigurie për të parandaluar përhapjen e panikut dhe për të menaxhuar situatën.

Tre nga të lënduarit u transportuan menjëherë në spital, ku u konstatua se ndodheshin në gjendje të rëndë. Sipas kryetarit të bashkisë së Aurillac, Pierre Mathonier, i cili foli të hënën për BFM TV, gjendja e tyre tashmë është përmirësuar.

Ai sqaroi se një nga viktimat, një burrë 78-vjeçar, pësoi arrest kardiak, por u rikthye në jetë falë ndërhyrjes së menjëhershme me KPR (reanimacion kardiopulmonar).

Autoritetet besojnë se sulmi mund të jetë shkaktuar nga prania e grerëzave, të cilat kanë shqetësuar një kosherë bletësh që ndodhej në tarracën e një hoteli, ku ishte instaluar që prej më shumë se dhjetë vitesh. Sipas kryebashkiakut, kosherja është tashmë hequr nga një bletërritës dhe është zhvendosur jashtë qytetit.

Zëvendës-komandanti i zjarrfikësve, Michel Cayla, deklaroi për mediat se nuk kishte përjetuar kurrë më parë një ngjarje të tillë

“Sa i përket numrit të të lënduarve, panikut që përfshiu njerëzit dhe ashpërsisë së plagëve, ishte një situatë tronditëse,” – tha ai për The Guardian.

Autoritetet franceze po hetojnë rrethanat e plota të incidentit dhe kanë kërkuar kujdes të shtuar në zonat ku ndodhen koshere bletësh apo grerëza.

Të fundit