Flash News

Bota

U kritikua se braktisi vendin, rrëfehet ish-presidenti i Afganistanit: Qëndrimi im do bënte kërdinë

U kritikua se braktisi vendin, rrëfehet ish-presidenti i Afganistanit:
Ish-presidenti afgan, Ashraf Ghani

Ish-presidenti afgan Ashraf Ghani ka folur për largimin e tij nga Afganistani, pas zbarkimit të forcave talebane në vend në muajin gusht të këtij viti.

Ghani ka rrëfyer për BBC se largimi i tij u bë për të parandaluar nj shkatërrim të mundshëm të kryeqytetit, Kabul. Ish-presidenti afgan tregon se mëngjesin e 15 gushtit, nuk u zgjua me asnjë ide për t’u larguar nga vendi apo se ajo do të ishte dita e tij e fundit në Afganistan.

“Vetëm kur avioni u largua e kuptova se po shkoja”, ka thënë ai.

Ish-presidenti kujton se talebanët kishin rënë dakord të mos hynin në Kabul, por vetëm dy orë më vonë nga momenti i dakordësisë, forcat e tyre zbarkuan për të pushtuar Afganistanin.

"Dy fraksione të ndryshme të talebanëve po afroheshin nga dy drejtime të ndryshme," shpjegoi Ghani. "Dhe mundësia e një konflikti masiv midis tyre që do të shkatërronte qytetin pesë milionësh dhe do të sillte kërdi për njerëzit ishte e madhe."

Ghani thotë se ka pranuar të linte këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare dhe gruan të largoheshin nga Kabuli, teksa vetë ishte duke pritur një makinë nga Ministria e Mbrojtjes  e cila nuk erdhi kurrë. Ka qenë shefi i sigurimit presidencial, thotë Ghani, që ka shkuar tekai duke i thënë se nëse mbante një qëndrim si president, të gjithë do të vriteshin.

"Ai nuk më dha më shumë se dy minuta," tha zoti Ghani. "Udhëzimet e mia kishin qenë të përgatitesha për nisjen për në Khost. Ai më tha se Khost kishte rënë dhe po ashtu edhe Jalalabad. Nuk e dija se ku do të shkonim. Vetëm kur u nisëm, u bë e qartë se po largoheshim. Kështu që kjo ishte vërtet e papritur."

Pas largimit të tij, Ghani u kritikua ashpër nga shumë njerëz në Afganistan, duke përfshirë edhe zëvendëspresidentin e tij Amrullah Saleh, i cili e quajti atë "të turpshme".

U shfaqën gjithashtu pretendimet se Ghani kishte marrë shuma të mëdha parash, diçka që ai e mohoi prerazi, duke përshëndetur një hetim ndërkombëtar që ai tha se do të pastronte emrin e tij.

Të fundit