Flash News

Bota

UNRWA jep alarmin: Trefishohet numri i fëmijëve të kequshqyer në Gaza

UNRWA jep alarmin: Trefishohet numri i fëmijëve të kequshqyer

Që nga muaji mars, gati 100,000 fëmijë nën moshën 5 vjeç janë kontrolluar nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), duke zbuluar një rritje alarmante të rasteve të kequshqyerjes.

Në më pak se gjashtë muaj, kequshqyerja e fëmijëve në të gjithë Rripin e Gazës është trefishuar. Situata është më dramatike në Qytetin e Gazës, ku pothuajse një në çdo tre fëmijë është i kequshqyer – gjashtë herë më shumë se para ndërprerjes së armëpushimit.

Zyrtarët e UNRWA-së theksojnë se kjo nuk është një fatkeqësi natyrore, por një “uri e shkaktuar nga njeriu dhe e parandalueshme”. Për gati gjashtë muaj, furnizimet jetike janë bllokuar, duke penguar hyrjen e ndihmave në territor.

Depot e agjencisë në Egjipt dhe Jordani kanë rezerva të mjaftueshme për të mbushur 6,000 kamionë, përfshirë ushqim për tre muaj, por këto ndihma nuk kanë arritur tek banorët për shkak të kufizimeve.

“Bëj thirrje që të lejohet menjëherë hyrja e ndihmës shpëtimtare përmes UNRWA-s dhe organizatave të tjera humanitare. Nëse jo, më shumë fëmijë do të vazhdojnë të humbasin jetën. Vullneti politik mund ta ndalojë këtë gjë të neveritshme,” paralajmëroi përfaqësuesi i agjencisë.

Të fundit