Flash News

Bota

Verifikohen 200 sulme në spitale që nga fillimi i luftës, mesazhi i shefit të OBSH-së

Verifikohen 200 sulme në spitale që nga fillimi i luftës, mesazhi

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka verifikuar 200 sulme në objektet e kujdesit shëndetësor në Ukrainë që nga fillimi i luftës, tha sot drejtori i përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke i kërkuar Rusisë "të ndalojë këtë luftë".

Duke folur nga Kievi, pasi kaloi dy ditë në Ukrainë, Tedros tha se ishte "thellësisht i prekur" nga ajo që kishte parë dhe dëgjuar.

Tedros tha se sulmet ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor "duhet të ndalen", duke shtuar: "Ka një ilaç që OBSH nuk mund ta japë dhe për të cilin Ukraina ka nevojë më shumë se çdo tjetër, dhe kjo është paqja".

"Pra, ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje Federatës Ruse që të ndalojë këtë luftë," tha ai.

Tedros tha se ai diskutoi situatën shëndetësore në vend me zyrtarët ukrainas dhe tha se OBSH do të vazhdojë të mbështesë sistemin e kujdesit shëndetësor të Ukrainës.

"Mesazhi im për të gjithë popullin e Ukrainës është se OBSH qëndron me ju," tha ai.

Shefi i OBSH-së tha se, pavarësisht nga shkatërrimi, ai ka parë gjithashtu "rezistencë të jashtëzakonshme" në Ukrainë ndërsa njerëzit përpiqen të rivendosin jetën e tyre.

“Si dikush, unë vetë, që jam rritur në një zonë lufte, e kuptoj shumë mirë se si ndihet populli i Ukrainës”, shtoi ai.

Burimi: CNN

Të fundit