Flash News

Bota

VIDEO/ Shpërthim masiv në një fabrikë kimike në Kinë, 5 viktima dhe dhjetëra të plagosur

VIDEO/ Shpërthim masiv në një fabrikë kimike në

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një fabrikë kimike në provincën Shandong të Kinës lindore, duke shkaktuar të paktën pesë viktima dhe 19 të plagosur, ndërsa gjashtë punëtorë të tjerë raportohen ende të zhdukur.

Ngjarja ndodhi në ambientet e Gaomi Youdao Chemical Co., një kompani që specializohet në prodhimin e pesticideve dhe kimikateve për përdorim mjekësor. Sipas raportimeve, shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa theu xhamat e një depoje më shumë se tre kilometra larg, siç tregohet në një video të publikuar nga një banor lokal.

Në fabrikë punojnë mbi 500 persona, ndërsa mbi 230 forca zjarrfikëse morën pjesë në operacionin për shuarjen e flakëve dhe kërkimin e të zhdukurve, sipas rrjetit shtetëror CCTV.

Autoritetet kineze kanë nisur një hetim të plotë për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit, të cilat mbeten ende të paqarta. Në zonën përreth janë marrë masa sigurie, ndërsa familjarët e punëtorëve presin me ankth informacion mbi të afërmit e tyre.

Ky incident është një tjetër kujtesë e rrezikut të lartë që mbartin disa industri kimike në Kinë, një vend që ka njohur raste të shumta fatale në vitet e fundit për shkak të mungesës së standardeve të sigurisë industriale.

 

Të fundit