Flash News

Bota

Vuçiç dhe Dodik ‘kërcënojnë’ me një aleancë ushtarake me Hungarinë

Vuçiç dhe Dodik ‘kërcënojnë’ me

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka rritur tonet e bashkëpunimit me Hungarinë, duke sinjalizuar krijimin e mundshëm të një pakti ushtarak mes dy vendeve. Në vijim të këtij qëndrimi, edhe lideri i Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, deklaroi se ky entitet synon të përfshihet në një marrëveshje sigurie dhe mbrojtjeje me Serbinë dhe Hungarinë.

Deri tani, autoritetet hungareze nuk kanë komentuar publikisht mbi këto paralajmërime, edhe pse Hungaria është pjesë e NATO-s, aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.

Zhvillimet vijnë pas nënshkrimit të Planit të bashkëpunimit ushtarak për vitin 2025 mes ministrive të mbrojtjes të Serbisë dhe Hungarisë, më 1 prill në Beograd. Marrëveshja u firmos nga ministri serb i Mbrojtjes, Bratislav Gashiç, dhe homologu i tij hungarez, Kristof Szalay-Bobrovniczky.

Presidenti Vuçiç u shpreh se ky plan thellon bashkëpunimin strategjik të nisur në vitin 2023 dhe mund të çojë drejt krijimit të një aleance të mirëfilltë ushtarake mes Beogradit dhe Budapestit.

Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç kanë ndërtuar një aleancë të fortë politike dhe strategjike gjatë viteve të fundit, duke e shndërruar Hungarinë në një nga mbështetësit më të mëdhenj të Serbisë brenda Bashkimit Evropian.

Deklaratat e fundit nga Beogradi dhe Banjalluka kanë shkaktuar shqetësime në rajon, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin që një aleancë e tillë ushtarake mund të ketë për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Të fundit